SBAShK: Për nismën legjislative qytetare u mblodhën 20.458 nënshkrime

Prishtinë | 27 Sht 2024 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se ka nisur angazhimet për të realizuar nismën legjislative nga qytetarët për miratimin e Projektligjit për ndryshimin e skemës pensionale.

Përmes një komunikate për media, thuhet se brenda gjashtë ditëve SBAShK ka arritur të mbledh 20.458 nënshkrime të qytetarëve nga e tërë Kosova, raporton Ekonomia Online.

“Duke respektuar kërkesat e punëtorëve të arsimit, por edhe të qytetarëve të tjerë, SBASHK-u kishte nisur angazhimet për të realizuar nismën legjislative nga qytetarët për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08L- 248. Kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve bashkë me veprimtarë e qytetarë, kanë arritur që brenda 6 ditëve të mbledhin 20.458 nënshkrime të qytetarëve nga e tërë Kosova, edhe pse për nismat e tilla qytetare mjaftojnë 10.000 nënshkrime. Këto lista me nënshkrime në një takim solemn janë dorëzuar në selinë e SBASHK-ut dhe janë duke u bërë përgatitjet e fundit teknike dhe i tërë dokumentacioni përcjellës bashkë me nënshkrimet pritet t’i dorëzohen të hënën”, thuhet në njoftim.

“Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, nga bartësit e kësaj nisme qytetare në një ceremoni solemne të rastit. Bartësit e kësaj nisme qytetare, por edhe gjithë të nënshkruarit, besojnë se nisma do të hasë në mbështetje të shumicës së deputetëve dhe kështu do t’u rikthehet e drejta e fituar punëtorëve të arsimit për vitet e 90-ta duke u konsideruar prapë si vite kontributdhënëse, e po ashtu të tilla të numërohen edhe vitet pasuese deri me funksionalizimin e Trustit pensional në korrikun e vitit 2002”.

Kjo nismë qytetare, këtë të drejtë e kërkon edhe për gjithë ata që dhunshëm janë dëbuar nga puna nga pushtuesi serb në vitet 90-ta.

SBASHK-u po ashtu në fillim të javës së ardhme do ta dorëzojë në MASHTI Draftin e Kontratës së re Kolektive të Arsimit, e cila është finalizuar pas diskutimit publik me anëtarësinë, me qëllim që të nisë negocimi për të dhe të krijohen kushtet për nënshkrim nga MASHTI dhe SBASHK në kohën më të shpejtë të mundshme.

Të ngjashme