Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës i ka bërë apel ministrisë së Arsimit dhe institucioneve tjera që të punojë në përgatitjen e Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të Punëtorëve në Arsim që kanë sëmundje të rënda.
Kjo ngase, SBAShK-u vlerëson se sa do i lehtë që duket ky profesion shikuar nga anash, puna e përkushtuar në edukimin dhe arsimimin brezave kërkon përkushtim dhe lë gjurmë nëpër vite në shëndetin e punëtorëve arsimor.
“Është për t’u përshëndetur angazhimi lidhur me Ligjin për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policor, por është mirë që edhe MAShT-i të angazhohet e të përgatit një ligj për uljen e moshës së pensionimit për punëtorët në Arsimin Parauniversitar, të drejtë të cilën të punësuarit në ketë sektor do ta shfrytëzonin bazuar në vullnetin e tyre, apo në gjendjen shëndetësore”, thuhet në apelin e SBAShK-ut.
SBAShK-u vlerëson se nëse vërtetë institucionet do ta kundërshtonin angazhimin për një ligj lidhur me uljen e moshës së pensionimit për të gjithë të punësuarit në Arsimin Parauniversitar me arsyetimin se do të jetë numër i madh i atyre që vullnetarisht do ta shfrytëzonin këtë të drejtë dhe se kërkohen shumë mjete buxhetore , atëherë MAShT-i, sipas tyre, do të duhej që të krijonte mekanizma ligjor për pensionimin që tani të punëtorëve arsimor me sëmundje të rënda.
“SBASHK-u këtë çështje e ka ngritur vazhdimisht në shumë takime dhe nuk beson se institucionet e as ndonjë individ do ta kundërshtonte pensionimin e parakohshëm të punëtorëve arsimor me sëmundje të rënda sepse numri i tyre nuk është i madh dhe se çdo angazhim për ta është shërbim për arsim më të mirë dhe vepër humane ndaj këtyre njerëzve , që për ta ruajtur kafshatën e gojës detyrohen të shkojnë në punë me barrën e rëndë të sëmundjes”, përfundon apeli.