SBAShK-u apel MAShT-it: Të pensionohen para kohe punëtorët arsimor me sëmundje të rënda

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 12:17 | Nga

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës i ka bërë apel ministrisë së Arsimit dhe institucioneve tjera që të punojë në përgatitjen e Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të Punëtorëve në Arsim që kanë sëmundje të rënda.

Kjo ngase, SBAShK-u vlerëson se sa do i lehtë që duket ky profesion shikuar nga anash, puna e përkushtuar në edukimin dhe arsimimin brezave kërkon përkushtim dhe lë gjurmë nëpër vite në shëndetin e punëtorëve arsimor.

“Është për t’u përshëndetur  angazhimi lidhur me  Ligjin për pensionim të parakohshëm  të zyrtarëve policor, por është mirë që edhe MAShT-i të angazhohet e të përgatit një ligj për uljen e moshës së pensionimit për punëtorët në Arsimin Parauniversitar, të drejtë të cilën të punësuarit në ketë sektor do ta shfrytëzonin bazuar në vullnetin e tyre, apo në gjendjen shëndetësore”, thuhet në apelin e SBAShK-ut.

SBAShK-u vlerëson se nëse vërtetë institucionet do ta kundërshtonin angazhimin  për një ligj lidhur me uljen e moshës së pensionimit për të gjithë të punësuarit në Arsimin Parauniversitar me arsyetimin se  do të jetë numër i madh i atyre që vullnetarisht do ta shfrytëzonin këtë të drejtë  dhe se kërkohen shumë mjete buxhetore , atëherë  MAShT-i, sipas tyre, do të duhej  që të krijonte mekanizma ligjor për pensionimin që tani të  punëtorëve arsimor me sëmundje të rënda.

“SBASHK-u këtë çështje e ka ngritur vazhdimisht në shumë takime dhe  nuk beson se institucionet e as ndonjë individ do ta kundërshtonte pensionimin e parakohshëm të  punëtorëve arsimor me sëmundje të rënda sepse numri i tyre nuk është i madh dhe se çdo angazhim për ta është  shërbim për arsim më të mirë dhe vepër humane  ndaj këtyre njerëzve , që për ta ruajtur kafshatën e gojës detyrohen të shkojnë  në punë me barrën e rëndë të sëmundjes”, përfundon apeli.

Të ngjashme