Mësimdhënësit e Kosovës mund të futen në grevë nëse Qeveria e Kosovës nuk e siguron zbatimin e Ligjit të ri të pagave.
Pikërisht për këtë arsye Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), sot do të mbajë takim me kryetarët sindikal të komunave dhe Universiteteve ku do të diskutojnë rreth hapave që do të marrin në rast se tentohet të aprovohet buxheti për vitin 2020 pa koston e Ligjit të pagave
Ndërkohë ditë më parë kjo sindikatë i është drejtuar me një letër edhe kryeministrit , Albin Kurti.
Përmes kësaj letre SBASHK i kërkoi qeverisë që të sigurojë zbatimin e Ligjit të ri të pagave. SBASHK-u theksoi se planifikimi për këtë ligj duhet të bëhet në buxhetin e vitit 2020.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Telegrafin, nuk përjashtoi mundësinë e grevës në rast se më buxhetin e vitit 2020 nuk përfshihet edhe kostoja e Ligjit të pagave.
“Nëse nuk parashihet në projektbuxhetin për vitin 2020, ligji për paga atëherë kam frikë se do të jetë kërkesa e anëtarësisë së SBASHK-ut, do të ketë kërkesa për grevë. Nëse anëtarësia kërkon një gjë të tillë unë jam i obliguar dhe do ti qëndrojë në ballë edhe grevës dhe veprimeve tjera që anëtarësia do t’i kërkojë nga ne”, ka thënë Jashraj.
Ai shtoi se në rast se Ministria e Financave e përfshinë në projektbuxhetin për vitin 2020 edhe Ligjin për paga, atëherë situata do të jetë ndryshe.
“Nuk dihet saktë nëse Ministria e Financave a po i planifikon mjetet buxhetore për ta mbështetur Ligjin e pagave apo jo, dhe ne sot në takim me kryetar do të merremi vesh dhe i kemi opsionet hapur nëse Ministria e Financave, kryeministri dhe ministrja e Arsimit garantojnë se në buxhetin e vitit 2020 ata do ta kenë parasysh Ligjin e pagave atëherë situata do të jetë më e qetë, por nëse kjo nuk ndodh atëherë kam frikë në bazë të takimeve që i kemi edhe nëpër komuna që anëtarësia do të kërkojë nga ne që të marrim hapa sindikal”, u shpreh Jasharaj.
Jasharaj porositi Ministrinë e Financave që ta kujtojë janarin e vitit të kaluar dhe të mos e bëjë një veprim të tillë, duke kërkuar që MF-ja t’i parasheh mjetet dhe pastaj t’ia lënë Gjykatës Kushtetuese të vendos ashtu siç është më së miri.
I pyetur në rast se do të vendoset për hyrje në grevë, sa do të zgjasë, kryetari i SBASHK-ut, u shpreh se nuk mund ta parashikoj një gjë të tillë.
“Nuk mund të parashikoj se sa do të zgjasë greva, e tëra varet se çfarë vendos Këshilli Drejtues. Ne po presim edhe një takim me kryeministrin Kurti dhe ministrin e financave , në mënyrë që ata të nga garantojnë që kanë planifikuar buxhet edhe për ligjin e pagave prandaj situata do të ishte ndryshe”, tha Jasharaj.
Ligji për paga në sektorin publik për shërbyesit civil u miratua një vit më parë më 2 shkurt 2019 në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë se në shenjë pakënaqësie për këtë Projektligj, për tri javë rresht patën hyrë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.