Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kanë iniciuar një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e skemën pensionale në vend, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, kjo nismë ka për qëllim që punëtorëve të arsimit viteve te 90-ta t’u llogariten si vite kontributdhënëse, ndërsa është i bindur në mbledhjen e mbi 10 mijë nënshkrimeve.
“Duke respektuar qëndrimet e përfaqësueseve të SBAShK-ut që nga çerdhet e deri në universitet, kemi ardhur me një përfundim të fillojmë me një nismë me mbledhjen e nënshkrimeve nga anëtarësia jonë por edhe nga qytetarët që t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës që të ndërrojnë pjesën e ligjit për skemën pensionale. Kohëve të fundit me ndryshimin e bërë janë mohuar te drejtat e punëtorëve të arsimit”, ka thënë Jasharaj, teksa shpreh bindjen se ligjvënësve do t’u dërgohen më shumë se 10 mijë nënshkrime.
“Kjo nismë ka për qëllim që t’i kthehet e drejta që e ka bërë vet parlamenti punëtorëve të arsimit viteve te 90-ta që këto vite te jenë vite kontributdhënëse që të marrin pensionin e plotë që do të ndihmonte jo vetëm punëtorëve të arsimit po të gjithë sektorët publike, që të arrijnë kriterin për 15 vite. Jam i sigurt se jo vetëm 10 mijë po shumë më shume nënshkrime do të mblidhen për nja afat shumë të shkurtër dhe do t’ia dërgojmë organeve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj.