Më 14 shtator është vendosur që nxënësit t’i kthehen procesit mësimor nëse përgatitjet kryhen sipas rekomandimeve të IKShPK-së, raporton Ekonomia Online.
Por as kjo datë nuk është definitive, nëse nuk bëhen përgatitjet, teksa në SBAShK thonë se do të kërkojnë sërish shtyrje, në mënyrë që shkollat mos të bëhen vatër e shpërndarjes së epidemisë.
Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri për Ekonomia Online thotë se shtyrja e vitit të ri shkollor është bërë bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore, që të ruhen nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Pas rekomandimeve të IKSHPK-së të cilët Ministria e Arsimit i ka shndërruar si obligative për t’u zbatuar nëpër shkolla tona dhe pas një vlerësimi që kemi marrë me drejtorë komunal, kemi vërejtur nuk janë përgatitjet e nevojshme që të zbatohen masat dhe rekomandimet e IKSHPK-së, pra kemi bërë apel te MASh për një mirëkuptim të shtyrjes të vitit të ri shkollor në mënyrë që të përmbushen të gjitha rekomandimet e dhëna nga institucioni shëndetësor”.
“Në një takim që kemi mbajtur dje ku kanë qenë shumë akterë aty dhe pas një diskutimi të gjatë kemi ardhur në përfundim se më mirë është që të shtyhet procesi mësimor për 14 ditë”, u shpreh ai, teksa thotë se në këtë periudhë dy javore që të bëhen përgatitjet e nevojshme që të fillojë mësimi.
Teksa ka folur për këtë çështje, Ymeri thotë se në asnjë shkollë nuk kanë dezinfektues për duar. E kontraktimi me kompanitë thotë se iu merr shumë kohë, raporton EO.
“Nëse të gjithë akterët angazhohen në mënyrë shumë serioze për t’i përmbushur kushtet që i ka dhënë IKSHPK-ja, mendoj që ia arrijmë. Shkollat nuk kanë dezinfektues për duar, iu duhen një kohë me i kontraktua kompanitë që furnizohen me to, pastaj nuk kemi një listë të mësimdhënësve rezervë, të cilët që këta mësimdhënës mund të sëmurën të hënën dhe ta kenë të pamundur të shkojnë në shkollë. Nuk kemi mësimdhënës rezervë të cilët mund t’i zëvendësojnë ata”.
E shtyrja e procesit mësimor është opsion real thotë Ymeri, nëse nuk plotësohen kriteret e dhëna nga IKShPK-ja.
“Shumë sinqerisht iu kemi thënë se nëse deri më datë 14 shtator na gjen e njëjta situatë sikur sot, përsëri apeli ynë do të jetë mos me filluar mësimi për shkak se e shohim humbje më të madhe të jetës së njerëzve sesa humbjen e procesit mësimor dhe nuk dëshirojmë që shkollat të jenë vatra të shpërthimit të epidemisë dhe përhapjes së saj. Dëshirojmë që të jenë vatra të diturisë”, tha ai.
Ymeri ka thënë se nëse në një shkollë infektohet ndokush, procesi mësimor do të vazhdojë online por që thotë se nuk është i preferuar i tyre.