Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar si të pabazuar padinë e SBASHK-ut ndaj ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura.
Në aktgjykimin e kësaj gjykate thuhet se vendimi i Ministrisë për kompensimin e orëve është i drejtë dhe se ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve, shkruan lajmi.net.
E ndaj këtij vendimi ka reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Ndonëse ka thënë se nuk është në dijeni nëse Gjykata e ka marrë një vendim të tillë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka potencuar se një verdikt i këtij lloji mund të ketë qenë i ndikuar politikisht.
Ai ka paralajmëruar se do të ankohen edhe në Gjykatën e Apelit, dhe se sipas tij me këtë vendim i është humbur vlera grevës.
“Nëse është marrë një vendim i tillë atëherë ai ka mundur të jetë i ndikuar politikisht, ose Gjykata mund të ketë vepruar me emocione të pabazuara, ngase nuk ka pasur asnjë arsye që të merret një vendim i tillë”, ka potencuar ai.
“Ne nuk do të ndalemi me kaq, dhe këtë vendim do ta dërgojmë në Gjykatën e shkallës së dytë”, ka paralajmëruar Jashari.
Kujtojmë, se Sindikata e Arsimit kishte parashtruar ankesë ndaj vendimit të SBASHK-ut për kompensimin e orëve të humbura nga greva.
Kjo e fundit kishte zgjatur tre javë, teksa ministria e Arsimit kishte kërkuar vazhdimisht zëvendësimin e orëve mësimore.