Nesër në institucionet arsimore të Arsimit Parauniversitar të Kosovës do të jetë një moment i veçantë sepse të gjithë nxënësit e Arsimit fillor, Arsimit të Mesëm të Ulët dhe Arsimit të Lartë do të jenë pjesë e garës së diturisë.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti bashkë me zv/ministrin në MASHT, Azem Guri kanë vizituar të mërkurën selinë e SBASHK-ut dhe kanë bashkëbiseduar me kryetarin Rrahman Jasharaj dhe anëtarët e kryesisë lidhur me këtë aktivitet diturie e në të cilin do të bëjnë garë të barabartë të gjithë nxënësit e Kosovës.
SBASHK-u i ka dhënë përkrahje këtij aktiviteti dhe aktiviteteve tjera mësimore, kulturore e sportive që janë organizuar e do të organizohen në shkollat tona për nxënësit e Kosovës.
Në garën e nesërme të diturisë mësimdhënësit do të jenë me nxënësit e tyre për të monitoruar garën e diturisë. Ata edhe do të vlerësojnë testet e nxënësve të tyre për të parë se cilët janë më të mirët për momentin në nivel klase e për të vazhduar pastaj këtë garë në nivel komune dhe edhe në nivel vendi.
SBASHK-u apelon te mësimdhënësit , që si gjithmonë edhe tani , të dëshmohen se janë të përkushtuar për të dhënë kontributin e tyre në shërbim të nxënësve dhe arritjeve edhe më të larta arsimore në të ardhmen.
Me angazhimin e përkushtuar nesër , edhe pse është ditë vikendi, mësimdhënësit e Kosovës dëshmojnë se ishin dhe janë të gatshëm për angazhime shtesë me qëllim që nxënësit të marrin njohuri të duhura dhe ato t’i dëshmojnë përmes garave të diturisë dhe në të ardhmen edhe garave në kulturë e sport. Mësimdhënësit në gjithë këto beteja ishin dhe do të jenë pranë nxënësve të tyre duke bërë kështu hapërime të reja drejt një arsimi edhe më të mirë në Kosovë.