SBAShK-u vazhdon takimet me trajnerët e trajnimeve të licencuara

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Duke iu përgjigjur kërkesës së kolegëve tanë nga Novobërda dhe komunat tjera, SBASHK-u është duke organizuar trajnime nga larg me kolegët tanë kudo në Kosovë. Pasi trajnimet e mbajtura ishin të suksesshme janë shtuar shumë kërkesat nga anëtarësia për organizimin e të pesë trajnimeve të licencuara, kjo ka bërë që SBASHK-u të ftojë në takimin e radhës nga larg trajnerët e licencuar me qëllim që të shtohet mobilizimi për të plotësuar kërkesat e gjithë kolegëve tanë për këto trajnime.


Në fillim të këtij takimi nga larg kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka përgëzuar trajnerët e angazhuar deri tani për përkushtimin dhe arritjet. Ai ka thënë se pjesëmarrësit kanë lavdëruar angazhimin e trajnerëve dhe kanë vlerësuar lartë edhe arritjet në këto trajnime. Kryetari Jasharaj ka lavdëruar në veçanti trajnerin prof.dr.Hysen Sogojeva, por edhe prof.dr. Atdhe Hykolli, të cilët janë shprehur të gatshëm të angazhohen vazhdimisht në trajnime për të dhënë kontributin e tyre në rrjedhën e mbarë të këtij aktiviteti.

Pas kësaj nënkryetarja Vjollca shala ka treguar për trajnimet duke dhënë edhe sqarime lidhur me rrjedhën e trajnimeve të radhës. Menaxheri për financa e administratë dhe koordinator për organizim të brendshëm Ymer Ymeri ka dhënë sqarime të shumta për mënyrën e organizimit të trajnimeve duke u nisur nga listat e pjesëmarrësve, mbajtja e shënimeve për vijueshmërinë dhe detaje të tjera duke shtuar se stafi qendror do të jetë i angazhuar gjatë gjithë kohës për të ndihmuar e për të kontribuar në rrjedhën e mbarë të trajnimeve.


Trajneri prof.dr. Hysen Sogojeva ka përgëzuar SBASHK-un për angazhimin dhe arritjet duke veçuar edhe organizimin e këtyre trajnimeve. Ai ka dhënë idenë që gjatë detyrave konkrete të trajnimeve e sidomos të trajnimit për udhëheqje e menaxhim e po ashtu edhe të trajnimi për dialogun social të punohet edhe SWOT analiza, sepse përmes saj do të merren shumë ide e vlerësime nga pjesëmarrësit lidhur me çështjet konkrete sindikale e që janë një vlerë për angazhimet në të ardhmen.


Pas kësaj është zhvilluar një bashkëbisedë mes trajnerëve dhe stafit qendror duke dhënë ide lidhur me punën që duhet bërë gjatë trajnimeve me qëllim që suksesi të jetë sa më i lartë dhe të arrihen objektivat e trajnimeve. Po ashtu janë këmbyer ide për përvojat e trajnerëve gjatë mbajtjes së trajnimeve nga larg. Trajnerët pjesëmarrës në këtë takim kanë shtruar edhe pyetje që ndërlidheshin me trajnimet që do të nisin këtë të shtunë. Ata kanë marrë përgjigje konkrete nga koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, i cili është shprehur se stafi qendror është në gatishmëri për të ndihmuar dhe kyçjet në trajnime të kryetarit Jasharaj dhe te stafit qendror janë pikërisht për t’u dhënë mbështetje në rrjedhën e mbarë të trajnimeve e jo për të përcjellë punën tuaj, sepse ne kemi besim të plotë te ju e këtë besim ju e keni krijuar me punën e përkushtimin gjatë trajnimeve me kolegët tanë kudo në Kosovë.


Ishte kërkesë e trajnerit Ilir Gashi dhe e disa trajnerëve të tjerë të rinj që tu mundësohet kyçja në trajnimin gjegjës me qëllim që të marrin përvoja nga trajnerët që janë duke mbajtur trajnimin e caktuar. U vlerësua e qëlluar kjo kërkesë dhe koordinatori Ymer Ymeri është shprehur që cilido nga trajnerët që dëshiron të dëgjoj e të përcjell trajnimin e caktuar do t’i mundësohet kyçja, me qëllim që ata të mësojnë më shumë nga njëri tjetri.
Trajnerët u informuan nga stafi qendror për orarin e trajnimeve që nisin këtë të shtunë dhe u përmenden edhe emrat e trajnerëve që do të angazhohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme