SBASHK-u ka bërë të ditur se Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës me seli në Bruksel, ka përgëzuar vazhdimisht këtë sindikatë për angazhimet e shumta e të vazhdueshme në shërbim të anëtarësisë.
Në një komunikatë për media thuhet se ky union, që përfaqëson 11 milionë mësimdhënës nga e tërë Evropa, ka shprehur me deklarime publike dhe me shkresa drejtuar Qeverisë së Kosovës, mbështetjen e fuqishme për sindikatën anëtare të tyre.
Tutje aty bëhet e ditur se kështu ndodhi edhe edhe me letrën e këtyre ditëve, nënshkruar nga kryetari i Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Larry Flanagan, drejtuar kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe ministres Nagavci përmes të cilës ai shpreh mbështetjen e fuqishme për SBASHK-un në emër të 11 milionë anëtarëve të këtij Unioni e duke shprehur kërkesa të qarta sindikale për Qeverinë që të ketë qasje të duhur ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave të tjera dhe që të funksionalizojnë Këshillin Ekonomik Social dhe të nisin me dialogun e sinqertë për të gjitha kërkesat duke nënshkruar Marrëveshjen Kolektive në nivel vendi dhe Kontratat Kolektive për Arsimin e Kosovës dhe me sektorët tjerë”.
“Kryetari Flanagan ua kujton Kurtit, Muratit e Nagavcit se Kosova është një vend kandidat potencial për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe se një element kyç në këtë rrugëtim është edhe dialogu social i Qeverisë, ministrive me SBASHK-un dhe sindikatat tjera”.
“Kjo letër solidariteti me SBASHK-un dhe me kërkesat e këshillat e qarta nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës, është dërguar në adresën e Kryeministrit Kurti dhe në atë të ministrit Murati e ministres Nagavci dhe urojmë që ta lexojnë me kujdes dhe të ndryshojnë qasjen ndaj dialogut dhe ndaj sindikatave”, thuhet tutje në komunikatën për media të SBASHK-ut.