Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, ka kërkuar që mësimi të shtyhet edhe për disa ditë. Ndërkohë që drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka konfirmuar se komunat janë të gatshme të fillojnë mësimin në shkolla nga 1 shtatori.
“Sa patëm takim virtual me Komunat dhe Këshillin Drejtues, ku ata deklaruan se shkollat nuk janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor, me përjashtim të disave”, ka deklaruar Jashari për Blic.
Ndërsa Ibrahimi thotë se gjithçka është gati që mësimi të fillojë me 1 shtator. Madje sqaron se këtë gatishmëri ia ka përcjell edhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, dhe ministrin të MASHTI’t, Ramë Likaj.
“Komunat janë të gatshme të fillojnë në me shkolla nga 1 shtatori. Këtë zotim e kanë dhënë edhe ditën e hënë në takim me kryeministrin Hoti dhe ministrin Likaj”, ka thënë Ibrahimi për Express.
Ibrahimi gjithashtu njofton se kryetarët e komunave janë takuar edhe me drejtorët e shkollave në mënyrë që gjithçka të jetë gati kur mësimi të fillojë në shtator.
“Kryetarët e komunave janë duke u takuar edhe me drejtorët e shkollave. Prej korrikut kolegjiumi i drejtorëve komunal të arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Koosvës është duke punuar me MASHTI. Dhe tash para se të arrihet në finale, duhet bashkëpunim i të gjitha palëve, në mënyrë që të kemi një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor”, ka thënë Ibrahimi.
“Përkrahja buxhetore nuk mungon, përkushtimi i kryetarëve dhe drejtorëve komunal është maksimal. Bashkëpunimi me nivel qendror është në nivel shumë të lartë”, shtoi Ibrahimi.