Ministri Federal i Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Alexander Schallenberg, ka shprehur mbështetjen e plotë të vendit të tij për Kosovën, në bisedën e parë bilaterale (telefonike) me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Në një atmosferë të përzemërt dhe të hapur Ministrat e Jashtëm të Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës biseduan për një varg temash, ndër të tjera rreth gjendjes politike në rajon si dhe hapave konkret drejt bashkëpunimit të mëtejmë.
Ndër temat konkrete ishte kontributi i çmuar i Austrisë në sigurimin në kuadër të BE-së të kontingjentit të vaksinave për Ballkanin Perëndimor, për të cilin Ministrja e Jashtme Gërvalla-Schwarz u falënderua shumë ngrohtësisht në emër të Kosovës.
Ministri Federal Schallenberg theksoi se Kosova gëzon një simpati të madhe në Austri dhe se qëndron lart në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të vendit të tij.
Ministrja Gërvalla-Schwarz kërkoi mbështetjen e Austrisë në përpjekjet e Republikës së Kosovës për të fituar njohje diplomatike edhe tek ata partnerë të BE-së, të cilët ende nuk janë bërë pjesë e shumicës dërmuese të anëtarëve të BE-së, të cilët e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Lidhur normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, ministrja e informoi kolegun e saj se pala kosovare së pari do ta bëjë një analizë të thellë të bisedimeve të deritanishme dhe më pas do të përpilojë një strategji të mirëfilltë. Vetëm mbi këtë bazë do të ishin të mundura negociata të mirëfillta për të arritur rezultate të qëndrueshme.
Ministri Federal Schallenberg e ftoi kolegen e tij të marrë pjesë në Forumin Evropian Wachau në Vjenë më 11 qershor, ku do të ketë mundësi për një shkëmbim të drejtpërdrejtë mes ministrave të jashtëm nga rajoni dhe më gjerë. Ai deklaroi që Ministrja e Jashtme Gërvalla-Schwarz është në çdo kohë e mirëseardhur në Vjenë.