Schillaci ende nuk e ka të qartë se si Italia mbeti pa titull të botës në vitin 1990

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 20:59 | Nga Ekonomia Online

Salvatore Toto Schillaci ende nuk mund të besojë që Italia dështoi të fitonte Botërorin e vitit 1990 me skuadrën që kishte.

Schillaci ishte golashënuesi më i mirë në Botërorin e mbajtur në Itali, duke realizuar gjashtë gola. Po ashtu ishte vlerësuar lojtari më i mirë i Botërorit që ishte fituar nga Gjermania Perëndimore. Italia e Schillacit kishte përfunduar e treta.

Italia në fakt nuk kishte humbur asnjë ndeshje në atë botëror, sa i takon kohës së rregullt. Argjentina e kishte mposhtur me penallti në gjysmëfinale, pas rezultatit 1:1 në ndeshje.

“Kupa e Botës është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe të luash për vendin tënd është ëndërr e secilit lojtar”, ka thënë Schillaci për Sky Sport Italia.

“Ishte një turne fantastik. Ne nuk humbëm asnjëherë dhe pengu i vetëm është që nuk e fituam trofeun. Ne kishim skuadër aq të madhe. Vetëm unë isha promovuar një vit më parë nga Serie B. Të tjerët lojtarë ishin me shumë përvojë. Unë kam luajtur vetëm një vit te Juventusi, por kam fituar vendin me përulësi maksimale”, ka shtuar Schillaci, tani 55-vjeçar.

Gianluca Vialli vlerësohej zgjedhja e parë për sulmin e Italisë, por u zëvendësua nga Schillaci gjatë garës. Edhe Roberto Baggio gjeti rrugën drejt njëmbëdhjetëshes bazë.

“Në ndeshjen hapëse ndaj Austrisë isha me fat. Vialli bëri një krosim spektakolar, ndërsa unë e gjeta veten në mes dy mbrojtësve gjigantë. Godita disi dhe shënova. Isha i lumtur, por të nesërmen u ktheva me këmbë në tokë. Për mua ka qenë gjithnjë thelbësore kjo, që të qëndroj me këmbë në tokë”, ka thënë Schillaci, që për Italinë ka shënuar shtatë gola në 16 paraqitje. Ai ka luajtur për Azzurët vetëm në vitet 1990 e 1991.

Në finale të atij Botërori, Gjermania Perëndimore kishte fituar 1:0 ndaj Argjentinës. Golin e vetëm e kishte realizuar Andreas Brehme në minutën e 85-të, nga penalltia.

Të ngjashme