Të paktën 15 persona janë vrarë dhe 34 të tjerë janë plagosur, kur dy shpërthime e disa të shtëna e goditën spitalin më të madh ushtarak në Afganistan në Kabul, tha të martën një zyrtar taliban i sigurisë.
Shpërthimet ndodhën në hyrjen e spitalit me 400 shtretër “Daud Khan” në pjesën qendrore të Kabulit dhe forcat e sigurisë janë dërguar në vendin e ngjarjes, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Qari Saeed.
Nuk ka pasur konfirmim të numrave të viktimave, por një zyrtar taliban i sigurisë, duke folur në kushte anonimiteti, tha se janë 15 të vdekur e 34 të lënduar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Sidoqoftë, agjencia zyrtare e lajmeve citoi dëshmitarë të kenë thënë se një numër i luftëtarëve të ISIS-it u futën në spital dhe u përleshën me forcat e sigurisë.
ISIS-i, i cili ka kryer një varg sulmesh në xhami dhe në vende tjera në Afganistan që nga ardhja në pushtet e talibanëve në gusht, kishte kryer një sulm në spital edhe në vitin 2017, duke vrarë më shumë se 30 persona.