Të paktën 157 persona kanë vdekur, dhjetëra të tjerë janë zhdukur dhe mijëra njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë pasi një ciklon tropikal goditi Indonezinë dhe Timorin Lindor, njoftuan autoritetet lokale të martën.
Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 67 u shënuan në rajonin Lembata, 49 në Floresin Lindor dhe 12 në Alor, bëri të ditur një zëdhënës i Agjencisë Indoneziane për Menaxhimin e Fatkeqësive.
Zëdhënësi Raditya Jati shtoi se në mesin e viktimave janë së paku gjashtë fëmijë, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Së paku 72 persona ende janë të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar. Mbi 8.400 njerëz janë zhvendosur në pesë rajone, ndërsa rreth 2.700 janë prekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut.
Reshjet e mëdha të shiut, të cilat vazhduan për nëntë orë, bënë që digat në katër rajone të stërmbusheshin, duke përmbysur shtëpi dhe fusha të orizit.
Sipas Agjencisë për Meteorologji, Klimatologji dhe Gjeofizikë në Indonezi, ka gjasë që moti ekstrem të mbretërojë deri të premten, më 9 prill.
Në Timorin Lindor, nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut kanë vdekur së paku 27 persona, ndërsa mbi shtatë mijë të tjerë janë detyruar që të zhvendosen.