Të paktën 40 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit janë diagnostikuar me koronavirus në një anije norvegjeze, bënë të ditur zyrtarët e shtetit skandinav.
Qindra pasagjerë të tjerë të anijes MS Roald Amundsen janë në karantinë dhe janë duke i pritur rezultatet, tha kompania që e ka në pronësi këtë anije.
Anija që i përket kompanisë Hurtigruten u ankorua në portin e Tromsos në pjesën veriore të Norvegjisë të premten, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Kompania tashmë i ka ndërprerë të gjitha lundrimet për shkak të shpërthimit të rasteve. “Jemi të përqendruar në të gjitha përpjekjet e mundshme për t’u kujdesur për mysafirët dhe kolegët tanë”, tha përmes një deklarate shefi i kësaj kompanie.
Katër anëtarë të ekuipazhit u dërguan në spital të premten me simptoma të koronavirusit, ndërsa më vonë u konfirmuan si të infektuar.