Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë ditës së sotme zhvilloi takim me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MRKS), Vlora Dumoshi si dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Halil Matoshi.
Me rastin e këtij takimi, ministrja Dumoshi bëri të ditur se kjo Ministri do të përkrahë idenë e kryetarit Jashari për ndërtimin e një stadiumi të ri për qytetin e Skenderajt.
Jashari e Dumoshi, gjatë ditës së sotme realizuan vizita tek projektet e rëndësishme të komunës, të cilat janë mbështetur nga kjo ministri.
Fillimisht kryetari Jashari si dhe ministrja Dumoshi bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku theksuan edhe njëherë rolin e pazëvendësueshëm të dëshmorëve për Kosovën në rrugën e saj drejt shtetformimit.
Me këtë rast ministrja Dumoshi tha se me anë të kësaj vizite nderohet kontributi i madh i heronjve tanë duke shtuar se çdo ditë po punohet që të jetësohet amaneti i tyre për të dërguar shtetin tonë përpara.
Pas pritjes që kryetari Jashari i bëri Dumoshit si dhe anëtarëve të kabinetit të saj, ata së bashku me Rreze Dulin, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Rajonal-Veri, ndanë certifikata për 30 të rijn të komunës së Skenderajt, të trajnuar në fushën e ndërmarrësisë, dizajnit grafik dhe zhvillim të ueb faqeve.
Kreu i komunës bashkë me drejtuesen e Ministrisë së Kulturës vizituan edhe Palestrën Sportive, e cila është në ndërtim e sipër si dhe stadiumin “Bajram Aliu”, në Skenderaj.