Nobody” është filmi i ardhshëm amerikan i zhanrit aksion dhe triler, me regji të Ilya Naishuller dhe skenar të shkruar nga Derek Kolstad.
Në këtë projekt kinematografik rolet kryesore i luajnë aktorët, Bob Odenkirk, Connie Nielsen, RZA, Aleksei Serebryakov dhe Christopher Lloyd.
Filmi i realizuar nga studioja “Universal Pictures”, e rrëfen historinë e Hutch Mansellit, i portretizuar në film nga Odenkirk, një burrë familjarë i nënvlerësuar dhe me një natyrë të butë, i cili përshkruhet si jorezistent ndaj vështirësive në jetën e tij. Një natë kur dy hajna futen në shtëpinë e tij në periferi, ai refuzon ta mbrojë familjen dhe veten duke shpresuar ta shmangë përkeqësimin e situatës. Djali i tij Blake dhe bashkëshortja Becca zhgënjehen tej mase nga reagimi i Hutchit ndaj situatës, dhe kështu fillojnë të largohen nga ai. Por ky incident, ia ndezë inatin ndaj të qenit një baba dhe burrë i paqëndrueshëm, dhe kështu atij i zgjohet dëshira për ta ndjekur rrezikun, i zbulon aftësitë e shtypura thellë në vete dhe i vë në pah sekretet e tij të errëta.
Fillimisht “Nobody” ishte planifikuar të lansohej nëpër kinematë e Amerikës më 14 gusht të vitit 2020, por data e tij u shty për gjashtë muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit. Data e lansimit pësoi ndryshim edhe një herë, dhe përfundimisht publiku do të ketë mundësi që filmin e mbushur me skena aksion, ta shikojë më 2 prill të vitit 2021.