“Seanca e orëve të natës”, FOL e sheh për efekt elektoral e në kundërshtim me parimet demokratike

Prishtinë | 06 Dhj 2024 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Seanca e së enjtes prodhoi rezultate për efekt elektoral për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi u votuan një sërë projektligjesh duke shmangur afatet e përcaktuara me rregullore. Kështu kanë thënë për Ekonomia Online nga Lëvizja FOL.

Mes projektligjeve të miratuara në lexim të parë dhe më pas me amendamentim të shpejtë edhe në lexim të dytë, Ligji për byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ai për banimin e përballueshëm dhe për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. 

Viona Bunjaku nga Lëvizja Fol, ka thënë për Ekonomia Online se në seancën e mbrëmshme nuk janë dashur të miratohen projektligjet, pasi vendi nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. Të njëjtat i ndërlidh për efekt elektoral.

Ajo ka thënë se Kuvendi do të duhej të vazhdonte punën deri më 10 janar të vitit të ardhshëm.

“Fatkeqësisht pothuajse jemi që një vit duke pritur që këto pika të rendit të ditës të miratoheshin me kohë dhe ajo se çfarë ka ndodhur mbrëmë është vetëm një fushatë politike e bërë nga partia në pushtet, duke tentuar që t’i tejkalojë të gjitha pikat e rendit të ditës brenda një nate, me të cilat ne nuk jemi as në një gjendje të jashtëzakonshme dhe pothuajse janë procedura tepër të përshpejtuara pasi që Kuvendi do duhej të vazhdonte punimet deri më 10 janar sipas rregullores së Kuvendit dhe ata kanë vendosur që mbrëmë që t’i tejkalojnë në procedura të shpejta disa prej projektligjeve më të rëndësishme për qytetarët, kështu duke cenuar parimet dhe vlerat demokratike të këtij vendi”.

Kritika ka edhe për kalimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas saj, i njëjti është në kundërshtim me parimet dhe vlerat demokratike të këtij vendi, pasi nuk është hedhur në konsultime publike.

“Ai më i rëndësishmi me të cilën pothuajse e kemi pasur interesimin dhe kemi pritur që sa vite për të, është normalisht Ligji për Byronë dhe Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë, i cili ka kaluar në lexim të parë dhe në lexim të dytë brenda shumë pak orësh, pra me një procedurë të përshpejtuar e cila është në kundërshtim me parimet dhe vlerat demokratike të këtij vendi, sepse i njëjti nuk është hedhur në konsultime publike, nuk ka pasur një dëgjim publik paraprakisht, dhe vetë miratimi i këtij Ligji tregon se këta vetëm kanë punuar për një fushatë elektorale që ta miratojnë dhe ta kenë të gatshme ndoshta për ta prezantuar në zgjedhje dhe ta përdorin si një mjet për fushatë, e që për neve është tepër e domosdoshme që së pari ta dimë përmbajtjen e këtij projektligji të ndryshuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra se si është miratuar mbrëmë edhe në lexim të parë dhe të dytë, na tregon se interesi i kësaj qeverie nuk ka qenë luftimi i korrupsionit dhe kanë vetëm premtime boshe”, ka thënë Bunjaku, teksa shton se prania në seancë vetëm e pushtetit krijon përshtypjen e një organizimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në fakt vetë mbajtja e kësaj seance pa praninë e opozitës na bën të dyshojmë që këtu kemi të bëjmë me një organizim të Lëvizjes Vetëvendosje që këtë seancë ta shtyjë deri në fund aq sa kanë vullnet edhe deputetët të miratojnë pika sa më shumë dhe të themi që kemi kryer punë për këtë mandat, edhe pse rregullorja parasheh që seanca të vazhdojnë, pra nuk mund të themi që kemi përfunduar me seanca të Kuvendit me natën e mbrëmshme, dhe nuk është normalisht në standard dhe në vlera të këtij shteti që të mbahen mbledhje deri në mesnatë, për të miratuar disa pika të rendit të ditës, të cilat kanë pritur me muaj të tërë të miratohen dhe nuk kanë pasur vullnet deputetët më herët, mirëpo e kanë gjetur seancën e mbrëmshme dhe kanë miratuar projektligje pa praninë e opozitës”, u shpreh ajo.

Të ngjashme