Shefja e grupit të deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se seanca e radhës është paralajmëruar të mbahet më 28 prill, raporton Ekonomia Online.
Në këtë seancë ajo tha se përveç pikave të zakonshme të rendit të ditës, do të diskutohet edhe për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Për formimin e tij Kusari-Lila tha se ekzistojnë dy forma në të cilat mund të procedohet tutje.
“E para, mund të tërhiqen nënshkrimet e njërit grup parlamentar, në këtë rast AAK-së me nënshkrime më pak, dhe të merren nënshkrimet e Listës Serbe apo të tërhiqet krejtësisht kërkesa dhe të procedohet i njërit grup parlamentar të opozitës dhe të votohet në atë përmbajtje. Në formacionin aktual si është dorëzuar, bllokohet formimi i këtij komisioni, siç ka ndodhur edhe më herët”, u shpreh ajo para mediave.
Kusari-Lila foli edhe për misionin e UNMIK-ut duke thënë se i ka tej-skaduar afati.
“Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Por, vendimi duhet të merret nga Këshilli i Sigurimit në OKB e aty janë Rusia dhe Kina që do të kundërshtonin një propozim të tillë. Por, funksionimi i UNMIK-ut nuk ka më asnjë efekt përmbajtjesor”.