Seanca konstituive vazhdon sot nga ora 12:00

Prishtinë | 17 Pri 2025 | 07:36 | Nga Ekonomia Online

Pas ndërprerjes të martën, sot (e enjte) në orën 12:00 pritet të vazhdojë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e zgjedhur të partive kryesore parlamentare kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por mbeten me qëndrimet e njëjta që çuan në bllokimin e seancës të martën.

Seanca konstituive nisi të martën në orën 11:00, por u ndërpre rreth dy orë më vonë, pasi deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit – hap ky i domosdoshëm për betimin e përbërjes së re parlamentare.

PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit, me arsyetimin se anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë, është dashur të japin dorëheqje paraprakisht për t’u betuar si deputetë.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se Qeveria është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit më 23 mars dhe se nuk ka nevojë për veprime shtesë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputeti më i vjetër në moshë nga VV, i është drejtuar me letër presidentes Vjosa Osmani për të kërkuar sqarime lidhur me hapat e mëtejmë.

Osmani i është përgjigjur se, sipas ligjit, seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përsëriti të mërkurën se ai dhe kabineti i tij janë në detyrë që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar, dhe se dorëheqja formale do të nënkuptonte krijimin e një vakumi institucional.

Ndërkohë, kreu i LDK-së ka paralajmëruar se do të kërkojë dorëheqjen e atyre që, sipas tij, po tentojnë të mbajnë njëkohësisht dy poste.

Mbetet të shihet nëse do të arrihet kompromis që do t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit.

Të ngjashme