Seanca ndaj ministres Hajdari e mbyllur për publikun, dëshmon ekipi i ekspertëve

Prishtinë | 11 Tet 2023 | 13:49 | Nga Hasan Hoti

Seanca gjyqësore ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari lidhur me rastin ku ishte aksidentuar një vajze e mitur, ka vazhduar të mbahet e mbyllur për publikun, raporton Ekonomia Online. E pranishme në seancë është ministrja Hajdari së bashku me avokatin e saj.

Për këtë rast ishte caktuar super-ekspertizë, e ku të pranishëm ne seancë janë edhe ekipi i ekspertëve për të dhënë versionet e tyre lidhur me këtë aksident.

Edhe seancën e kaluar gjykatësi, Shaqir Mazreku, ka marrë vendim që seanca ndaj ministres Hajdari të mbahet e mbyllur. E gjithë kjo pas kërkesës së avokatit të palës së akuzuar që seanca të mbyllet për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Në seancën e mbajtur me 8 dhjetor 2022 ishte caktuar super-ekspertiza e komunikacionit rrugor nga gjykatësja e rastit Valbona Gjonbalaj.

Në seancën e 12 tetorit 2022, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë. Ajo kishte deklaruar se ka qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme