Seanca për 100 ditët e Qeverisë Kurti vazhdon sot

Prishtinë | 03 Gus 2021 | 07:59 | Nga Ekonomia Online

Seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën debatohet për punën e Qeverisë Kurti për 100 ditët e para të qeverisjes vazhdon sot.

Seanca e nisur të hënën vazhdon sot në ora 10:00.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se qeveria e tij nuk krahasohet me ish qeveritë e kaluara.

Kurti tha se gara e tij nuk është me të kaluarën, por me të ardhmen. Sipas tij, këto 100 ditë janë kthesë drejtë zhvillimit.

Para deputetëve, kreu qeveritar ka paraqitur edhe të arriturat, që siç tha janë realizuar në këta muaj qeverise.

“Qeveria jonë nuk krahasohet me qeveritë e mëparshme, gara jonë po theksojë nuk është me të kaluarën, por të ardhmen. Këto janë ditët e kthesës drejtë zhvillimit”, tha ai.

Por, shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pasur kritika për fjalën e kryeministrit Albin Kurti në seancën mbi punën 100-ditore të qeverisë.

Ai tha se janë prezantuar shumë pak projekte që janë realizuar nga Qeveria Kurti 2, derisa shtoi se po e njëjta e ka humbur shpresën e qytetarëve.

Tahiri ka akuzuar Kurtin edhe për abstenim në qeverisje në katër komunat në veri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se raporti i punës për 100 ditët e Qeverisë së Kosovës është i thatë, dëshpërues, por është i vërtetë, pasi pasqyron qeverinë që ka marrë epitetin e qeveri praktikante dhe populiste.

Abdixhiku tha se kjo qeveri e sheh si fakt që Kosova po lulëzon vetëm pse ata janë tashmë në qeveri, pa bërë asgjë tjetër.

Të ngjashme