Seanca për presidentin, Kusari-Lila: S’kemi folur me Halitin – jemi në bisedime më disa deputetë tjerë

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për  klankosova.tv ka bërë të ditur se nga kjo parti nuk kanë pasur kontakte me deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Halitin, në mënyrë që ta sigurojnë votën e 80-të për kandidaten e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmanin.

“Nuk kemi kontaktuar me Xhavit Halitin, kushdo që nuk ka qenë dje në sallë dhe ka qenë jashtë Kosovës, tanimë e ka kohën e mjaftueshme që të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe të marrë pjese në seancë, në mënyrë që mos ta dërgojmë vendin përsëri në zgjedhje”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka theksuar se janë në bisedime me disa deputetë të cilët sipas saj kanë pasur një vullnet më të mirë që të marrin pjesë në votimin e presidentes dhe gjithashtu pret që edhe dy deputetët nga pakicat sot të marrin pjesë në seancë.

“Por, ajo që mund të konfirmoj është që jemi në bisedime më disa deputetë të cilët kanë pasur më shumë vullnet për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar për të cilët nuk mund të jap emra se kush janë ata deputetë, por unë pres që edhe dy deputetët e pakicave që nuk kanë qenë dje në sallë të vijnë, pasi që njëri nga ta veçse na e ka konfirmuar votën dhe nuk ka ardhur, pres që një gjë të tillë ta bëjnë sot në ora 17:00”, është shprehur Kusari-Lila.

Sa i përket Grupit Parlamentar të LDK-së, përkatësisht tre deputetëve, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, të cilët nuk morën pjesë dje në votimin e presidentes, Kusari-Lila ka thënë se pret që ata të reflektojnë gjatë seancës së sotme.

“Ndërsa nga Grupi Parlamentar i LDK-së pres që ata që nuk kanë marrë pjesë në votim të reflektojnë dhe në seancën e sotme ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila shton se është optimiste dhe se do të ketë kthim të deputetëve për ta plotësuar numrin e nevojshëm dhe çështja e zgjedhjes së presidentes të kryhet me sukses sot.

Të ngjashme