Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, kërkesa e kryeministrit Ramush Haradinaj për ta liruar pozitën si ministër i Punëve të Brendshme e deri tek dorëheqja, për ish-ministrin Flamur Sefaj kanë qenë sikurse një bombë.
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri, njëherësh dhe kreu i AKR-së, partisë që emëroi Sefajn në këtë pozitë, Behgjet Pacolli në emisionin Argument Plus të RTV21.
Pacolli tha se Sefaj nuk është konsultuar me të për këtë veprim, pasi i ka besuar Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Për zotin Sefaj ka qenë sikurse një bombë kjo. Ai është tepër i dëshpëruar në këtë çka ka ndodhë, është tepër i demoralizuar… ky rast është një tmerr për të. Ai për cdo pyetje më ka pyetur, jemi konsultuar, por për këtë thotë unë i kom besuar një letre që e kam marr nga AKI dhe në letër shkruan rrëfimi për përmbajtjen e kësaj letre, kopjimi apo diskutimi i materies që është në këtë letër me dikë tjetër është shkelje e ligjit, dhe ai i ka besuar atij paragrafi”, tha ai.
Pacolli tregon se Sefaj nuk ishte në dijeni çka përfaqësonin këta persona, por e rëndësishme ishte se AKI-ja ka thënë se këta njerëz paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
“Zoti Sefaj nuk e ka ditur kush janë gylenistët fare, nuk është interesuar për ta. Kur ka ndodhur krejt e ka kuptuar sa delikate ka qenë kjo punë. Se përpara Kosova ka ekstraduar edhe persona të tjerë, ka deportuar edhe persona të tjerë, mirëpo këtu ishte ajo që u mbeti në fyt të gjithëve”, tha zëvendëskryeministri.