Sindikalisti i shërbyesve civilë në administratën publike, Ali Sefaj e ka quajtur lëmoshë dhe vitra, rritjen e pagave për sektorin publik, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se kjo rritje kaq e vogël nuk kontribuon në mirëqenien e zyrtarëve publik, dhe si e tillë është e papranueshme për ta.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Sefaj ka thënë se Qeveria e ka lënë për keqardhje administratën shtetërore, teksa thotë se po injorohen nga ekzekutivi.
“Po tash kur e dëgjon opinionin publik, disa thonë më mirë është ligji të kemi një ligj se sa mos të kemi hiç, e unë mendoj që ligje të këqija nuk duhet të kemi, fatkeqësisht pritjet që i kanë pasur zyrtarët publikë nuk janë realizuar dhe komplet sektori publik është për keqardhje që Qeveria edhe kësaj radhe sikur qeveritë paraprake ka vendosë ta injorojë administratën shtetërore dhe nuk e ka marrë parasysh se suksesi i punës së tyre varet nga motivimi i administratës shtetërore. Thjesht rritja që ka ndodhë në administratën shtetërore rritja e pagave është lëmoshë, vitra, është e parëndësishme, është e papërfillshme dhe nuk kontribuon asgjë në mirëqenien e zyrtarit publik”, tha Sefaj për EO.
Ai tha se ka pagë që është rritur vetëm për 10 euro e që sipas tij më së shumti përfitojnë Qeveria në këtë rast pasi është dorëlirë dhe se punën më të madhe e bëjnë shërbyesit civilë.
“Po pakënaqësitë lidhen nga kategorizimi, nga sistemi, nga rangimi tek koeficientët dhe veçmas tek vlera e vogël e koeficientëve për arsye se rritja e pagave ka filluar, nëse flasim ka pagë që është rritur për 10 euro, 15 euro, 20 euro, 30 euro, 40 euro dhe paga më e lartë që është rritur mund të jetë 65 euro ose 70 euro dhe nëse e mbledhim këtë rritje që ka ndodhur mund të jetë rreth 40 euro duke i përjashtuar pozitat e larta drejtuese, që nëse flasim për pozita të larta drejtuese janë numër konsiderisht i vogël i zyrtarëve në krahasim me numrin e madh të zyrtarëve profesionalë, kësaj radhe kanë përfituar obertarët qeveritarë dhe Qeveria ka qenë dorëlirë ndaj praktikantëve, të cilët asistojnë pranë kabineteve të ministrave por jo edhe me zyrtarët profesionalë, të cilët duhet të marrin vendime meritore për qytetarët dhe Republikën”, tha Sefaj.
Sefaj ka thënë se si pasojë e pakënaqësisë, kjo Sindikatë do t’i drejtohet Avokatit të Popullimit, pasi konsiderojnë se u është bërë e padrejtë.
“Po padyshim që javën e ardhshme edhe të gjitha shoqatat sindikale të shërbyesve civilë, Federata Sindikale e Administratës Publike ku do të takohemi dhe do të bëhet shkresa edhe kërkesa tek Avokati i Popullit që ligji për paga të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, për arsye se ky është ligj që promovon pabarazinë, diskriminon me ata që punojnë dhe paguhen më pak dhe iu jep apo i shpërblen ata që kryejnë detyra politike, por jo që janë të rëndësishëm për institucionin dhe vendimmarrjen”, tha Sefaj për EO.
Të martën u janë ekzekutuar pagat punëtorëve të sektorit publik me Ligjin e ri të Pagave i cili u miratua në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar.