Taulant Seferi është një nga futbollistët që mezi e pret ndërrimin e viteve, sepse beson që në janar do të ndërrojë ekip dhe do të ketë mundësi të luajë rregullisht, duke qenë se te kampionët në fuqi të Zvicrës, Young Boys nuk bën pjesë në planet e trajnerit dhe nuk ka marrë asnjë minutë këtë sezon.
Në një lidhje me emisionin “Zona Gol” në Supersport, sulmuesi nga Tetova bashkëbisedoi me moderatorin Glend Tafaj, ku zbuloi se ka oferta nga disa klube dhe se në janar do të largohet nga Young Boys.
“Duhej të largohesha që këtë verë, por merkatoja u mbyll shpejt për shkak të koronavirusit dhe nuk arrita të gjej një skuadër tjetër. Te Young Boys nuk kam luajtur fare, por jemi në bisedime me 2-3 skuadra të ndryshme dhe është edhe në interesin e klubit që të pranojë largimin tim në merkaton e janarit. Jam i bindur që do të bëj një lëvizje për mirë në janar, për të shkuar diku ku të mund të luaj rregullisht”, u shpreh Seferi.
Me Young Boys ka qëndruar më së shumti në tribunë, por te Shqipëria Edi Reja e ka marrë në të gjithë grumbullimet dhe shpesh i ka dhënë mundësi të luajë, qoftë edhe si titullar, ndërsa Seferi e ka justifikuar me paraqitjet e mira në fushë.
“Trajneri Reja më ka grumbulluar edhe pse nuk kam luajtur te Young Boys, ndaj i jam mirënjohës. Unë nga ana ime jam munduar të jap maksimumin dhe të bëj atë që trajneri ka kërkuar prej meje në fushën e lojës. Jam gjithmonë gati për Kombëtaren dhe do jam 100% sa herë të më kërkohet”, u shpreh Seferi.
I pashmangshëm edhe një koment për shortin e eliminatoreve të Kupës së Botës “Katar 2022”, që do të startojë në marsin e vitit të ardhshëm dhe sheh kuqezinjtë në të njëjtin grup me skuadra të forta si Anglia e Polonia.
“Është një short i vështirë, pasi Anglia është një nga kombëtaret më të mira në botë dhe Polonia është shumë e fortë gjithashtu, por ne kemi treguar shenja rritjeje. Që në Lituani e Kazakistan treguam rritje, por fati nuk deshi të fitojmë, ndërsa më pas në tre ndeshjet e fundit fituam me meritë dhe zhvilluam lojëra shumë të bukura. Me besim dhe angazhim maksimal, them se do bëjmë paraqitje dinjitoze edhe në eliminatore”, u shpreh sulmuesi.
Skuadra e Tiranës i dha fund aventurës europiane pikërisht nga humbja përballë Young Boys, një ndeshje të cilën Taulant Seferi e pa nga shkallët e stadiumit, ndërsa nuk ngurroi të komentojë edhe performancën e bardhebluve.
“Isha në stadium bashkë me futbollistët e tjerë që nuk ishin grumbulluar për ndeshjen dhe me paraqitjen në 20 minutat e para, Tirana na befasoi të gjithëve. Më pas Young Boys e rriti nivelin dhe arriti të fitojë”, tha Seferi.