Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit. Sipas tij, është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese.
Ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për çështjen e kufijve është një aventurë e rrezikshme për vendin, që nxit edhe tension në vend.
Kështu ka vlerësuar deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës Korab Sejdiu në një intervistë për gazetën “Zërin”, ku ka thënë që asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese.
Sejdiu me këtë rast ka thënë që zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një qeverie legjitime. E vetmja mënyrë që mund të arrihet kjo, sipas tij, është përmes bashkimit të LDK-së dhe Vetëvendosjes në një koalicion parazgjedhor.
Deputeti Sejdiu në mes të tjerash ka folur edhe për Gjykatën Speciale, me ç’rast ka konsideruar që vonesa e funksionalizimit të këtij organi po bëhet për shkaqe politike.