Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së Lloyd Austin ka njoftuar të dielën mbrëma se ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe do të karantinohet në shtëpi për pesë ditët e ardhshme.
Austin tha në një deklaratë se ai testoi pozitiv të dielën në mëngjes ndërsa ishte në pushim.
“Simptomat e mia janë të buta dhe unë jam duke ndjekur udhëzimet e mjekut tim,” tha ai.
“Kam informuar ekipin tim drejtues për rezultatin tim pozitiv të testit, si dhe presidentin. Stafi im ka filluar gjurmimin dhe testimin e kontakteve të të gjithë atyre me të cilët kam rënë në kontakt gjatë javës së fundit”.
Sekretari i mbrojtjes tha se takimi i tij i fundit me presidentin Joe Biden ishte të martën kur ai kishte rezultuar negativ për virusin dhe më shumë se një javë para se të fillonte të shfaqte simptoma, ndërsa vizita e tij e fundit në Pentagon ishte të enjten kur ai u takua shkurtimisht me disa prej anëtarëve të stafit të tij ndërsa ishin me maska dhe praktikonin distancimin social.
Që nga 22 dhjetori, më shumë se 261,500 anëtarë të shërbimit kanë rezultuar pozitivë për virusin, duke rezultuar në 2,320 shtrime në spital dhe 82 vdekje, sipas të dhënave nga Pentagoni.