Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë të mërkurën se nuk përkrah përdorimin e ushtrisë në protestat në SHBA, pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd si rrjedhojë e dhunës së ushtruar nga policia e Minneapolisit, shkruan CNN.
Ai ka thënë se ushtria duhet të përdoret vetëm si opsion i fundit. Komentet e tij kanë ardhur vetëm pak kohë pasi që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me përdorim të ushtrisë.
Esper ka tentuar të distancohet nga këto deklarata të Trumpit.
“Opsioni i përdorimit të ushtrisë në rolin e zbatimit të ligjit duhet të jetë vetëm si opsion i fundit, dhe vetëm në situatën më urgjente dhe më të rëndë. Nuk jemi në një nga situatat e tilla. Nuk përkrahi këtë”, ka thënë Esper gjatë deklarimit për media nga Pentagoni.
George Floyd kishte vdekur pas asfiksia pasi një nga policët gjatë arrestimit e kishte shkelur në qafë me gjurin e tij për afro tetë minuta. Ai vazhdimisht ishte ankuar se nuk po mund të marrë frymë.