Ka nisur në Uashington takimi i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Osmani para takimit kishte deklaruar se do të fokusohen në thellimin e partneritetit strategjik me SHBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë, reformat që po i ndërmarrin institucionet tona si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Blinken: Jemi duke punuar për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA’të dhe shtetin tuaj
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka thënë se nesër do të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe MCC.
Anthony Blinken ka folur në takimin që po mbahet në SHBA me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai i është drejtuar me një falënderim Kurtit e Osmanit për pritjen e afganëve si dhe sanksionet ndaj Rusisë në relacion me agresionin në Ukrainë.
Blinken tha se me Kosovën po punohet në shumë çështje të përbashkëta.
“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për ShBA-të dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe njëherë që i keni mirëpritur afganët, e kemi parë mbështetjen për Ukrainën që nga dita e parë, për agresionin rus atje. Keni punuar edhe në aspektet tjera, presidente e çmoj lidershipin e juaj në këtë”, ka thënë Blinken.
Pas takimit në Departamentin e Shtetit pritet të ketë deklarime për medie.