Sekretari Gjeneral i Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), Andreas Zagklis, është takuar me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, si dhe me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.
Ministri Çeku u shpreh mirënjohës për mbështetjen e FIBA-s, me ç’rast tha se shpreson që trekëndëshi i bashkëpunimit ndërmjet dy federatave dhe ministrisë ta zhvillojë basketbollin edhe më shumë në Kosovë.
“Ne po e bëjmë më të mirën që ta mbështesim këtë aktivitet të federatës së basketbollit. Ka qenë një rast i jashtëzakonshëm për ta konfirmuar bashkëpunimin e mirë të federatës me FIBA-n, por në të njëjtën kohë edhe për ta aktivizuar Qeverinë e Kosovës, përmes ministrisë së sportit, në një lloj trekëndëshi të bashkëpunimit të një vizioni afatgjatë të zhvillimit të basketbollit në vendin tonë”, ka thënë Çeku.
Sekretari Zigklis, ka thënë se Federata e Kosovës e ka implementuar shumë mirë strategjinë e FIBA-s, e se një ndër komponentët më të rëndësishëm që basketbolli i Kosovës të shkojë përtej kufijve është infrastruktura e mirë.
“Ministri më ka impresionuar me dijen për basketbollin dhe nuk ka dyshim që keni një federatë që e ka shfrytëzuar shumë mirë FIBA-n”.
“Sot diskutuam se si strategjia po suportohet nga Ministria dhe se si ajo mund të konvertohet në një strategji kombëtare ku edhe FIBA do të ndihmojë”.
“Një ndër komponentët më të rëndësishëm që basketbolli i Kosovës të shkojë përtej kufijve është infrastruktura e mirë”.
Ndërsa, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, tha se FIBA e ka ndihmuar shumë basketbollin ne Kosovës dhe se shpreson që bashkëpunimi me këtë federatë ta avancojë edhe më shumë këtë sport, raporton EO.
“Është shumë e rëndësishme vizita e gjeneralit Zagklis këto ditë, për shkak të vëmendjes dhe përkrahjes që na ka dhënë FIBA, edhe në nivel botëror edhe në nivel kontinental”.
“E kemi zotimin e këtyre dy institucioneve për ta përkrahur vizionin e federatës së basketbollit. Shpresoj që së shpejti ta materializojmë këtë trekëndësh që e përmende ministër – angazhimin e të tria palëve, me një program të veçantë për basketbollin e Kosovës siç edhe e meriton”.
“Ju e dini se sa është i rëndësishëm basketbolli për vendin tonë, sa është i shkueshëm dhe i dashur është për publikun”.