Sekretari i SHBA-ve kërkon ndaljen e luftimeve mes Armenisë dhe Azerbejxhanit

Prishtinë | 29 Sht 2020 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i shtetit amerikan, Mike Pompeo i ka kërkuar Armenisë dhe Azerbejxhanit t’i ndërpresin luftimet që po vazhdojnë për rajonin e Nago-Karabakut.

Këto deklarime Pompeo i ka bërë gjatë një vizite në Kretë, ku ka diskutuar me Ministrin e Jashtëm, Grek, Nikos Dendias, për përplasjet dhe dhunën në atë zonë.

“Unë dhe Dendias adresuam konfliktin në Nago-Karabak, ku të dyja palët duhet të ndalojnë dhunën dhe të punojnë me bashkë-kryetarët e Grupit të Minskut, duke u kthyer në negociata sa më parë që është e mundur”, ka shtuar ai.

Zona e Karabakut është brenda Azerbejxhanit por drejtohet nga armenët etnikë dhe mbështetet nga Armenia. Ajo ishte shkëputur nga Azerbejxhani në vitin 1990, por nuk njihet nga asnjë shtet si republikë e pavarur.

Përleshjet midis forcave armene dhe azeriane rreth Nago-Karabak kanë rritur shqetësimin për stabilitetin në rajonin e Kaukazit të Jugut, një korridor për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz në tregjet botërore.

Të dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për përdorimin e artilerisë së rëndë në përleshjet e kësaj jave në të cilat, dhjetëra njerëz ishin vrarë dhe qindra të plagosur.

Të ngjashme