Presidenti Hashim Thaçi po e mban sekret përmbajtjen e takimeve me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të Brukselit. Zyra e Thaçit ka tejkaluar afatin kohor që ekipi negociator ia ka caktuar për ta dorëzuar dokumentacionin për dialogun e deritanishëm. Bashkëkryesuesi Fatmir Limaj ka thënë për gazetën “Zëri” se pret që Thaçi sa më shpejt t’i dorëzojë materialet e kërkuara, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka tejkaluar afatin e paracaktuar nga Delegacioni Shtetëror për Bisedimet me Serbinë duke mos ia dorëzuar dokumentacionin e kërkuar për dialogun që është zhvilluar deri më sot. Përfaqësuesit e ekipit negociator i kishin dhënë afat kreut të shtetit deri më 11 janar për dorëzimin e dokumentacionit, por Thaçi as tash, kur kanë kaluar tri ditë nga data e paracaktuar, nuk ua ka vënë në dispozicion materialin në fjalë.
LEXO EDHE: Çka nënkupton në të vërtetë angazhimi i madh i administratës së Trump për marrëveshjen Kosovë-Serbi?
Bashkëkryesuesi i delegacionit, Fatmir Limaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk e di se pse nuk është përfillur kërkesa e ekipit. Megjithëkëtë, Limaj ka thënë se presin që sa më shpejt t’i pranojnë dokumentet e kërkuara. Ndërkohë, nga Presidenca nuk kanë treguar se pse nuk e kanë bërë dorëzimin e dokumentacionit. Një veprim i tillë i Thaçit sipas përfaqësuesve të partive opozitare, që nuk janë pjesë e dialogut, dëshmon qartë se ekipi, i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, është vetëm një patericë e kreut të shtetit dhe nuk ka kurrfarë roli në procesin e negociatave me Serbinë.