Deri në shtator të vitit 2016, sektori mikrofinanciar realizoi profit në vlerë prej 3.2 milionë euro, që shënon një rritje vjetore prej 52.5 për qind. Kontribuues kryesor në këtë rritje ishte rritja më e madhe e të hyrave (kryesisht e atyre nga interesi) krahasuar me shpenzimet.
Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”, thuhet se rritja e profitit të realizuar deri në shtator 2016 ndikoi në përmirësimin e treguesve të profitabilitetit.
Sektori mikrofinanciar, sipas raportit, në TM3 2016 shënoi rritje vjetore të theksuar të aseteve prej 19.1 për qind.
“Njëri prej kontribuuesve kryesorë të rritjes ishte rritja e kredive bruto, e cila kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm, të cilat u rritën për 23.3 për qind. Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar vazhdon të dominohet nga kreditë bruto (73.2 për qind), pasuar nga lizingjet (15.8 për qind) dhe asetet tjera (11.0 për qind)”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton Ekonomia Online.
Sa i përket kredive të sektorit mikrofinanciar, deri në shtator 2016, vlera e tyre shënoi rritje të theksuar vjetore prej 29.7 për qind.
“Kontributin më të madh në rritjen e kredive të lëshuara nga sektori mikrofinanciar e kishte kategoria e kredive ndaj ekonomive familjare. Kjo kategori përfaqëson 67.4 për qind të gjithsej kredive të sektorit, si dhe shënoi rritje vjetore prej 33.4 për qind. Gjithashtu, edhe kreditë ndaj ndërmarrjeve, që përfaqësojnë 32.6 për qind të gjithsej kredive të sektorit, dhe që shënuan rritje vjetore prej 22.5 për qind, kontribuuan dukshëm në rritjen e gjithsej kredive”, thuhet në raport.
Sa i përket kredive të lëshuara ndaj sektorëve ekonomik, industria shënoi rritjen vjetore më të lartë, pasuar nga bujqësia dhe tregtia. Ndërtimtaria është i vetmi sektor i cili shënoi ngadalësim të rritjes.