Me një video mesazh prej 1 minutë e 46 sekonda, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është përpjekur ta arsyetojë Projektligjin për Tekstet Shkollore, që tashmë ka përmbyllur fazën e konsultimit publik.
Sipas Nagavcit, qëllimi i Ministrisë së Arsimit është që të rris cilësinë e teksteve shkollore.
Lexo Edhe:
Ky është truku sekret për këdo që të humbasë 1.23 kg në ditë
Molliqaj ia shpërndan numrin personal ministrit Murati, kërkon t’i shkruhe…
“Synimi jonë është që përmes këtij projektligji të rrisim cilësinë e teksteve shkollore, të përcaktojmë procedura të sakta për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore”, ka thënë Arbërie Nagavci në këtë video mesazh.
Pos kësaj, sipas Nagavcit që udhëheqë me Ministrinë e Arsimit, ky projektligj do të sjellë edhe risi.
“Ky projektligj do të sjellë risi në proces dhe strukturë, do të themelojë Sektorin për Tekste Shkollore” ka thënë ndër të tjera Ministrja e Arsimit.
Por, ajo nuk ka përmendur faktin se përmes këtij dokumenti që synohet të bëhet ligj në Kuvendin e Kosovës, përjashtohen nga gara për botimin e teksteve shkollore të gjitha Shtëpitë Botuese.
Bazuar në draftin e Projektligjit për Tekste Shkollore, Shtëpitë Botuese nuk do të kenë më të drejtë të konkurrojnë për botimin e teksteve shkollore.
Gjithçka do të kaloj në baza individuale të autorëve, ndërsa përgjegjësinë do ta merr Sektori për Botimin e Teksteve Shkollore në kuadër të Institutit Pedagogjik të Kosovës.
“ Sektori për botimin e teksteve shkollore (më tutje “Sektori”) vepron në kuadër të Institutit Pedagogjik të Kosovës me këto detyra. Është organ përgjegjës për udhëheqjen dhe menaxhimin e procesit të botimit të teksteve shkollore, materialeve mësimore, mjeteve shkollore, lekturës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik”, thuhet në nenin 17 të projektligjit në fjalë i cili ka edhe shtatë pika të tjera.
Por, gjithë kjo nismë e Ministrisë së Arsimit po has në kundërshtim edhe të shtëpive botuese, të cilat kanë dërguar komente në fazën e konsultimit publik.
Ndërkohë, për temën e njëjtë të mërkurën është debatuar edhe në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
Në prani të Zëvendësministrit të Arisimit, Dukagjin Pupovci, këtë formë të draftligjit e ka kundërshtuar analisti Imer Mushkolaj.
“Ideja themelore është me e kriju një monopol shtetëror, ky është monopol, edhe nëse Ministria e Arsimit në këtë rast ose cilado ministri tjetër dështon me i identifiku problemet kryesore të sektorëve dhe me e gjet një shtëpi botuese në këtë rast ose një agjenci në raste të tjera, për me thënë se është fajtor për mungesën e cilësisë kjo për mu është problematike”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërkohë, Mushkolaj i ka bërë një analogji tendencës për bartjen e kompetencave tek Sektori për Tekste Shkollore në kuadër të Institutit Pedagogjik dhe lejimin vetëm të autorëve për të konkurruar për tekste shkollore.
“Po dua me e tërheq një analogji, kjo i bije sikur Ministria e Transportit me e kriju një Agjenci Shtetërore të Transportit, me i ndal kompanitë që merren me transport të udhëtarëve, me ju thënë ju nuk mund të funksiononi, por shoferët e juaj, në këtë rast ‘autorët’, mund të aplikojnë dhe të punojnë për ne, ose cilësia e bukës është shumë e dobët, Ministria e Tregtisë e krijon një ‘sektor qendrorë’ të bukës i merr furrtarët i punëson edhe i mbyll furrat. Kjo është shumë problematike sepse i eliminon shtëpitë botuese”, ka shtuar Mushkolaj.
Derisa Mushkolaj ka kundërshtuar këtë pjesë të Projektligjit për Tekste Mësimore, ka qenë Dukagjin Pupovci që është zëvendës ministër në Ministrinë e Arsimit i cili e ka mbrojtur këtë draft.
Ai ka thënë se synimi është që të përmirësojnë cilësinë e teksteve mësimore, ndërsa ka përmendur edhe qëllimin kryesor që ka ministria e i cili nuk është përmendur në videomesazhin e lëshuar nga ministrja Arbrie Nagavci.
“Thjeshtë ne duam që me këtë projektligj, të drejtat autoriale të kalojnë tek Ministria e Arsimit. Pse po duam një gjë të tillë? Sepse në këtë mënyrë ne faktikisht e bëjmë një konkurrencë të shëndoshë në mes të librave, përsëri mund të pranohen dy, tre, katër libra, por atëherë nuk do të kemi at dukurinë që shtëpitë botuese ose autorët, të shkojnë dhe të bëjnë ndikime të natyrave të ndryshme nëpër shkolla që të merren pikërisht tekstet e tyre”, ka thënë në Debat Plus, zëvendës ministri Pupovci.
Por, edhe këtë pretendim të numrit dy të Ministrisë së Arsimit e ka kundërshtuar analisti Visar Ymeri.
Ai madje ka thënë se një formë e tillë mund të rris potencialin për ‘veprime korruptive’.
“Një autori i cili e shkruan një tekst prej cilësdo lëndë të shkollës fillore ose të mesme, duke qenë autori i vetëm me ato shpenzime që tashmë i ka bërë për me e shkru tekstin e ka urgjencën më të madhe për me ju zgjedh libri i tij se sa duke e bërë përmes shtëpisë botuese dhe po e shpjegoj pse? Sepse duke e bërë këtë përmes Shtëpisë Botuese në fund të fundit kompensimin për librin e merr ai, u zgjedh e s’u zgjedh libri i tij. Duke e pas këtë urgjencë më të madhe, ai do të ndikoj më shumë tek recensentët e fushës të cilët ai do ti ketë të njofshëm apo jo” ka thënë Ymeri.
Pos kësaj, Visar Ymeri, ka shtruar dilema të mëdha dhe të argumentuara nëse një formë e tillë garanton rritje të cilësisë në tekste shkollore dhe në arsim në përgjithësi.
“Pyetja kryesore këtu është a na garanton neve që shtetëzimi i kësaj përgjegjësie e rritë cilësinë apo jo edhe nëse po, pse dhe si? Si mundet një sektor i administratës shtetërore me qenë i specializuar se sa kompanitë ose Shtëpitë Botuese që merren me një vëllim shumë më të madh të botimit në përgjithësi. Sipas këtij parimi ne ish dashtë edhe me i mshelë shkollat private sepse shkollat publike po orfrojkan cilësi më të madhe edhe me i mshelë spitalet private sepse ato publike po ofrojkan cilësi më të madhe e kështu me radhë”, ka shtuar Ymeri.
Tutje Ymeri ka shtuar se një formë e tillë që është paraparë në projektligj mund të shkelë edhe parimet e konkurrencës së lirë, të garantuara edhe me kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
Ndërsa dilema nëse një formë e tillë do të funksionoj ka shtruar edhe analisti Ylli Hoxha. “Nuk e di nëse ka shku një proces mirë në MASHT në 20 vjetët e fundit, për të thënë se ky ka me shku mirë, qoftë përzgjedhja e mësimdhënëseve, qoftë përzgjedhja e drejtorëve, qoftë cilësia e arsimit nuk e di që ekziston diçka ku ka përzi MASHT-i dhe me thënë që jemi për mashalla”, ka thënë Hoxha.
Iniciativa e Ministrisë së Arsimit për Projektligjin për Tekstet Mësimore, ka përmbyllur fazën e konsultimit publik me 29 qershor, ndërsa më pas do të ndjekë hapat procedural për t’u miratuar në qeveri e më pas për të shkuar në Kuvendin e Kosovës.