Sekuestrohen 13 kg kanabis në Malësi të Madhe, arrestohet një çift – kishte krijuar një vend për tharjen e bimëve narkotike

Prishtinë | 21 Tet 2023 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Një person me inicialet A.V, 29 vjeç është arrestuar pasi në afërsi të banesës së tij, kishte krijuar një vend për tharjen e bimëve narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, bëhet e ditur se të premten gjatë operacionit policor u arrestua bashkëshortja e 29-vjeçarit dhe u sekuestruan 13 kg cannabis sativa, në trajta të ndryshme, në proces tharjeje.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, me qëllim ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim më datë 20.10.2023, në kuadër të operacionit policor anticannabis, të koduar ’Bratosh’, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kapën dhe ndaluan shtetasin A. V., 29 vjeç.

29-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, e arrestuar ditën e djeshme, gjatë operacionit ‘Bratosh’, kishin përshtatur një ambient, në afërsi të banesës së tyre, për tharjen e bimëve narkotike cannabis sativa. Shërbimet e Policisë sekuestruan nga ky ambient, 13 kg bimë/lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në trajta të ndryshme, në proces tharjeje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të ngjashme