Sekuestrohen një armë e modifikuar dhe rreth 300 gr marihuanë në Pejë, një person ndalohet për 48 orë

Prishtinë | 08 Nën 2026 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri dhe rreth 300 gramë substancë të dyshuar narkotike gjatë një kontrolli të realizuar në fshatin Dubovë e Madhe në Pejë.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 8 nëntor, rreth orës 13:05, gjatë një pune hetimore-operative nga zyrtarët e Stacionit Policor në Pejë, në mbështetje të njësitit të NJRSH-së.

Gjatë kontrollit në vendbanimin e një personi të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të modifikuar, një karikator dhe tre fishekë, si dhe rreth 300 gramë marihuanë, një pjesë e së cilës ishte e paketuar në qese të vogla.

Po ashtu, janë sekuestruar një peshore dhe disa qese që dyshohet se përdoreshin për paketimin e substancës narkotike.

Lidhur me rastin, personi i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Të ngjashme