Me datë 14.07.2022, rreth orës 00:49, Policia e Kosovës, në Prizren është njoftuar se një person ndodhej në emergjencën e spitalit të Prizrenit dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetesore, ku dyshohej se është lënduar me mjet të fortë-thikë nga një person i panjohur.
Të gjitha njësitë relevante policore duke përfshirë, patrullën, hetuesit dhe njësinë e Forenzikës kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe pas një pune intensive operative – hetimore kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, V.Z (2001). Të njëjtit fillimisht i është dhënë ndihma mjekësore për shkak të lëndimeve që kishte në dorë, e më pas është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës. Në vendngjarje poashtu është gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47 dhe një gëzhojë.
Bazuar në hetimet e deritanishme dyshohet se rasti ka ndodhur për shkak të një ngatërrese të mëhershme, ku dyshohet se ka filluar si konflikt verbal dhe më pas ka përfunduar me përdorim të armëve. Personi i lënduar, në këtë rast i dyshuari, E.B. (2002)nuk është intervistuar ende për shkak se është në trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorisë kompetente ndaj dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Njësitë policore në Prizren janë duke kryer kërkimet për gjetjen e armës së ftohtë ( thikë) si dhe ekzaminime tjera forenzike per të siguruar prova tjera materiale për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.