Sela: 27 prilli 2017 ishte data e ndarjes së Maqedonisë mes lindjes e perëndimit

| 07 Kor 2020 | 20:34 | Nga

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e ka cilësuar 27 prillin e 2017-s si datën e ndarjes së këtij shteti mes orientimit drejt lindjes dhe perëndimit.

Sipas tij, në ditën e zgjedhjes së kryeparlamentarit shqiptar, Talat Xhaferi, dhe eskalimit të situatës, që solli edhe sulmin ndaj tij, ishte kthesa e madhe e vendit.

Ka thënë se sa herë i sheh pamjet e sulmit ndaj tij të asaj kohe, i kujtohet Abdylfetah Alimi, që punonte si roje e Kuvendit, e që kishte shpëtuar Selën.

“Sa herë i shoh këto pamje, çdo herë më kujtohet Fetah Halimi, që më ka shpëtuar kokën më 27 prill. Njeriu që sot është në burg padrejtësisht sepse kështu deshi partia shqiptare që është në Qeveri, në mënyrë që të mbulojnë konstruksionet e veta me ish-partnerin VMRO-DPMNE, që të duket sikur përkrahin qeveri të re, por që realisht shpresonin e luteshin të shpallej gjendje e jashtëzakonshme që të vazhdojnë krushqinë e vjetër që kishin, nishanet e të cilit shihen edhe tash para zgjedhjeve të një bashkëpunimi mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Nga e gjithë kjo situatë, është dëshmia më e mirë e kthesës që i ndodhi. Një nga pikat ndarëse ishin orientimi kah perëndimi ose kah lindja. Orientimin kah lindja nga ish-regjimi VMRO-BDI, që kishin oligarkë si pasojë e korrupsionit të lartë, dhe orientimi drejt lindjes ishte që të kishte strehë te Putini e Rusia. Momenti i ndarjes ishte pikërisht kjo natë. Kur u zgjodh për herë të parë kryeparlamentari shqiptar dhe ishte dita në të cilën i vetmi kryetar partie shqiptar isha unë dhe asnjë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij, pamjet e sulmit ndaj tij hedhin poshtë deklaratat e partive të tjera se ata e kanë çuar Maqedoninë në NATO.

Sela ka thënë se ndaj Aminit është bërë padrejtësia, duke e dënuar me burgim “pasi më shpëtoi kokën”.

“Një pjesë e fajtorëve është dënuar, por kupola jo. Për shembull kryeparlamentari që u zgjodh edhe me gjakun tim, gjithçka që bëri me këtë rast, Xhaferi amnistoi Milianovskin që ishte në strukturat udhëheqëse të këtyre rasteve, duke mos lejuar t’i hiqet imuniteti. Ish-kryeministri Nikola Gruevski është në Hungari e i ka ikur përgjegjësisë. Nga ana tjetër, krenohen për rastësinë së një marrëveshjeje se deri sa të krijohet qeveria detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme e merr zëvendësministri e tash BDI-ja krenohet se ne tash kemi zgjedhur ministrin e parë të Punëve të Brendshme, rezultat i të cilit ishte 27 prilli. Në atë kohë, nga policët që ishin të ngarkuar në detyrë për të ruajtur Parlamentin, ai i liroi nga detyra duke u dhënë pushim që të funksionojë plani. Nëse Fetahi ka pasur fajin pasi u hapën dyert, që i hapën disa deputetë sot të amnistuar, si ishte e mundur që Fetahu të ndalte turmën me mijëra vetë. Nëse dikush ka mundur si i vetëm ta bënte, ai ka faj atëherë. Por Abdylfetahu më ka fshehur në dhoma të Parlamentit. Kam qenë në komë. Kur kam hapur sytë, ai ka qenë mbi kokën time duke më mjekuar plagët e duke më dhënë kurajë. Përgjegjësi kryesor është ai që ishte në krye të detyrës, i cili lejoi që të shkelej vija e kuqe imagjinare e nëse do të duhej përgjegjësi do të duhej të nisej nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri mbi ministrin, drejtori i uniformës. Funksionarët e BDI-së janë kontradiktorë. I kanë borxh, jo mua, sepse s’u sulmova për shkaqe personale, por siç duket kam artikuluar drejt nevojat që kanë shqiptarët, e kurorëzova me jetësimin e tryezës së përbashkët të partive politike, si instrument të rëndësishëm politik që bashkon vullnetin e shqiptarëve në veprim politik. Instrument që BDI-ja nisi ta minojë e ne do ta jetësojmë kur të fitojmë zgjedhjet. Dhe ky ka qenë shkaku realisht pse jam sulmuar. Shkaku tjetër ishin deklaratat tjera të njohura, se me një qeveri duhet të ketë ligj për gjuhën”, ka shtuar Sela në Deskun e KOHËS.

Sela ka thënë se ka vënë re deklarata kontradiktore të zyrtarëve të BDI-së për sulmet e asaj dite.

“Janë kontradiktorë zyrtarët e BDI-së, pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë se e ka ditur se do të ketë trazira, Agim Nuhiu ish ministër në MPB thoshte se s’ka ditur asgjë. Ali Ahmeti s’ishte aty. Publikisht po i pyes kush e thotë të vërtetë, Agim Nuhiu që thotë s’dinte gjë, apo Xhaferi që ka ditur gjithçka. T’i përballim në sy e të shohim ku është e vërteta”, ka shtuar ai.

Të ngjashme