Thelbi i qëndrimit të Beogradit në çështjen e marrëdhënieve me Prishtinën është se një kompromis është i domosdoshëm, i cili nënkupton një qasje serioze, kështu që asnjëra palë nuk do të merrte gjithçka, por që të dyja të marrin mjaftueshëm.
Kështu tha ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviq në Berlin, raporton Tanjug.
“Ne diskutuam çështjen e rëndësishme të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, dialogun në fushën e normalizimit të marrëdhënieve dhe unë prezantova pozicionin e Serbisë dhe shpreha mbështetjen për Përfaqësuesin Special Mirosllav Lajcak”, tha Selakoviq pas një takimi që pati me homologun gjerman Heiko Maas në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Selakoviq përmendi se për atë çështje, thelbi i pozitës së Serbisë është ajo që presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjithmonë thotë, dhe kjo është një zgjidhje kompromisi, por që nuk do të thotë që njëra palë të marrë gjithçka dhe tjetra asgjë.
“Kompromisi nënkupton një qasje serioze, për të qenë në një situatë ku asnjëra palë nuk merr gjithçka dhe të gjithë marrin mjaft”, shtoi ai, transmeton Klan Kosova
Ai deklaroi se bisedimet mbi këtë temë duhet të vazhdojnë, gjë që, thotë ai, është e rëndësishme në agjendën evropiane të Serbisë, por është gjithashtu e rëndësishme për stabilitetin e rajonit.