Selektori Challandes bëhet operacion, kjo është gjendja e tij

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në faqen zyrtare, se selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, është bërë operacion në gjurin e këmbës së tij dhe tani është në gjendje stabile.

Me këtë rast, i pari i FFK-së, Agim Ademi, i ka uruar teknikut zviceran shërim të shpejtë duke mos harruar ta theksojë rolin e tij në progresin e ‘Dardanëve’.

“Pas operimit që pati dje përzgjedhësi i Kombëtares sonë, Bernard Challandes, në gju, shfrytëzoj rastin që në emrin tim dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës t’ i uroj atij shërim sa më të shpejtë”, thuhet në letrën e Ademit, përcjell lajmi.net.

“Roli i tij në ecurinë e ekipit tonë Kombëtar është shumë i rëndësishëm, prandaj ne e presim përzgjedhësin Challandes që të kthehet sa më i fortë në shtator kur na presin dy sfidat e radhës”.

“Zotit Challandes i urojmë shërim të shpejtë, shëndet të plotë e po ashtu vazhdimësi të rezultateve të mira me Kombëtaren tonë”.

Challandes e drejton Kosovën tash e 13 ndeshjeve, duke fituar 8 dhe duke barazuar 5, derisa ecuria e tij pa humbje mbetet e pathyeshme. 

Të ngjashme