Self kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Rubio: Zgjerimi nuk është aktualisht në krye të agjendës

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Kongresisti amerikan Keith Self ka ngritur çështjen e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor gjatë një gjatë një seance dëgjimore të Senatit, duke e cilësuar rajonin si jashtëzakonisht të brishtë dhe duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, raporton Ekonomia Online.

Self tha se pas një vizite në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, ka konstatuar se situata në rajon mbetet e ndjeshme dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara.

“Dua të komentoni mbi një pjesë tjetër të Evropës për të cilën nuk kemi folur, por që unë e konsideroj shumë të brishtë: Ballkanin, veçanërisht Ballkanin Perëndimor. Sapo përfundova një udhëtim nëpër Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Fola me zyrtarë qeveritarë, me anëtarë të opozitës, studentë, padyshim me ekipet e shteteve, KFOR-in, OJQ-të, fola me këdo që munda. Situata është jashtëzakonisht e brishtë për momentin”, tha Self.

Ai kërkoi që SHBA-ja të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, duke theksuar se katër vende anëtare të NATO-s vazhdojnë të pengojnë anëtarësimin e saj në Aleancë.

“Kemi katër aleatë të NATO-s që gjithashtu po bllokojnë hyrjen e Kosovës në NATO. Natyrisht, kemi çështjen e vështirë mes Serbisë dhe Kosovës, ku Serbia e konsideron Kosovën një krahinë, ndërsa shumica e botës e njeh atë si një komb sovran. Kjo është një zonë jashtëzakonisht e brishtë e Evropës dhe do t’ju kërkoja të mbështesni anëtarësimin e Kosovës në NATO te ato katër vende në takimin në Turqi që sapo përmendët. Unë kërkoj stabilitet dhe ekuilibër në Ballkanin Perëndimor. Prania jonë me trupa është shumë, shumë e rëndësishme në atë rajon të botës, veçanërisht sa i përket KFOR-it”, deklaroi ai.

Duke iu përgjigjur, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se nuk dëshirojnë të shohin tensione apo konflikte të reja në rajon.

“Ne mbetemi të angazhuar në këtë temë, siç theksuat ju, dhe e kemi bërë këtë edhe privatisht. Gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo lloj ndarjeje, përçarjeje apo gjërash të kësaj natyre, të cilat do të krijonin konflikte të mëtejshme”, tha Rubio.

Megjithatë, ai vlerësoi se zgjerimi i NATO-s, përfshirë anëtarësimin e Kosovës, nuk është aktualisht prioritet për aleancën.

“Nuk mund të flas për zgjerimin e NATO-s, do të jem i sinqertë me ju. Bazuar në takimet e mia të fundit me ministrat e jashtëm, të paktën ajo që perceptova është se tani për tani, në përgjithësi, NATO është aq e përqendruar në disa nga këto çështje të tjera që u ngritën këtu sot, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës por edhe në tema të tjera, nuk është vërtet në plan të parë të agjendës së këtyre vendeve. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë; thjesht do të thotë se, për shkak të këtyre pikave të tjera të fërkimit, nuk ka qenë një temë e theksuar në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, tha Rubio.

Pas kësaj, Self ritheksoi se mungesa e progresit në integrimin euroatlantik po krijon pasiguri në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse shikoni Ballkanin Perëndimor, ka një lloj zbrazëtie atje në lidhje me anëtarësimin në BE dhe anëtarësimin në NATO. Pra, ka një mungesë stabiliteti për shkak të kësaj”, tha kongresisti amerikan.

Të ngjashme