Selimi: Do të hartojmë planin përmes të cilit do të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur një takim me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj dhe atë të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni.

Bashkë kanë diskutuar për hapat e veprimit drejt finalizimit të draftit të parë të Strategjisë që del nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Gjatë këtij takimi, është dakorduar që ekipet e Ministrisë së Drejtësisë dhe dy këshillave KGJK-së dhe KPK-së, të takohen për t’i adresuar komentet dhe për të finalizuar rekomandimet që përfshihen në Strategji.

“U dakoruam që të hartojmë planin e veprimit së bashku me hisedarët e drejtësisë, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm, përmes së cilit do të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial”, tha ministri Selimi.

Në këtë takim është diskutuar edhe për adresimin e komenteve që kanë të bëjnë me finalizimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale, si dhe për ndryshimet e nevojshme legjislative të sistemit prokurorial.

Ministria e Drejtësisë, javën e kaluar ka prezantuar draftin e parë të konsoliduar të pjesës narrative dhe planeve të veprimit të Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit.

Ndërsa kryesuesit e KGJK-së dhe KPK-së, z. Çoçaj dhe z. Hyseni, shprehën gatishmërinë e të dy këshillave për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që përmes procesit të rishikimit funksional si dhe avancimit të legjislacionit të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Grupi Punues për Hartimin e Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit e kryesuar nga Ministria e Drejtësisë, përbëhet nga përfaqësues të KGJK-së, KPK-së, Akademisë së Drejtësisë, Zyrës se Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave dhe akter të tjerë vendor dhe ndërkombëtar.


Të ngjashme