Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, theksoi të hënën në mbrëmje se letra nga ambasada në Gjermani për problemet e të riut nga Gjilani me shëndet mendor erdhën shumë vonë në adresën e ministrisë.
‘’Problemet për shëndetin e tij mendor kanë ardhur shumë vonë në qendrën operative emergjente në Prishtinë. Në ora 17:03 minuta ka ardhur e-maili për problemet mendore që i kishte personi. Ishte shumë vonë. Në ora 17:30 kishte ndodhur rasti’’
Selimi tregoi se i riu i ndjeki procedurat sikur të gjithë të tjerët dhe nuk u paraqit si i sëmurë.
“Pasi të futen në aeroport, atdhetarët mbushin një formular ku tregojnë për problemet që i ka udhëtari. Unë u interesova dhe më thanë se ai nuk kishte shkruar asgjë në atë formular që kishte probleme shëndetësore”, thotë Selimi në T7
Ai shtoi se vdekja e 26- vjeçarit është rast i rëndë dhe nuk duhet të politizohet.
‘’Duhet të hetohet rasti në tërësi. Politika dhe politizimi nuk duhet të ndodhin para hetimit. Po e ngarkojnë opinionin me informacione të rreme të panevojshme. Duket se ata që dështuan të realizojnë planet politike duke shfrytëzuar pandeminë, po përpiqen të përfitojnë me familjen e respektuar nga Livoqi i Gjilanit dhe të shtojnë dhimbjen’’.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, theksoi se janë tri kategori të personave që nuk futen në karantinë, si personat në moshë të shtyer, ata nën 18-vjeç dhe personat që kanë sëmundje kronike. Sipas tij, këta te fundit, duhet të mbushin formularin në fjalë dhe të nënshkruajnë një betim mirëbesimi.