Selimi: Nuk do t’i paguajmë vizitat e lidhjeve jashtëmartesore për të akuzuarit e Speciales

Prishtinë | 10 Gus 2020 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka sqaruar opinionin publik se nuk është e vërtetë raportimi se shteti do të paguajë për vizitat e lidhjeve jashtëmartesore përtej familjarëve për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale.

Selimi deklaroi se sipas legjislacionit në fuqi, përcaktohet se bashkësia jashtëmartesore është marrëdhënie faktike midis burrit dhe gruas të cilët jetojnë në çift dhe si e tillë kjo bashkësia, është e barabartë me statusin martesor andaj edhe ligji e njeh si familje.

Ministri Selimi shtoi se ka raste të shumta në shoqërinë tonë kur martesa lidhet në mënyrë tradicionale, por që juridikisht nuk e gëzojnë statusin e lidhjes martesore.

Duke marrë parasysh këtë specifikë që akomodon ligji i familjes edhe udhëzimi e reflekton ligjin.

Reagimi i plotë:

Për hir të opinionit publik, më poshtë gjeni sqarimin lidhur me lajmin e publikuar gjatë ditës së djeshme se shteti do të paguajë për vizitat e lidhjeve jashtëmartesore përtej familjarëve për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale. Kjo nuk qëndron dhe është e pavërtetë.

Sipas legjislacionit tonë në fuqi, përkatësisht Ligjit nr. 2004/32 për Familjen,
përcaktohet se bashkësia jashtëmartësore është marrëdhënie faktike midis burrit dhe gruas të cilët jetojnë në çift, dhe si e tillë kjo bashkësi, është e barabart me statusin martesor andaj edhe ligji e njeh si familje.

Në këtë linjë, janë hartuar edhe aktet nënligjore, të cilat i parasheh Ligji nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Këtu përfshihet udhëzimin administrativ që përcakton procedurën e realizimit të mbështetjes së nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencial vetëm sipas ligjit të familjes.

Për më tepër paragrafi 1 dhe 2 i nenit 39 të Ligjit nr. 2004/32 për Familjen përcaktojnë si në vijim:
(1) Bashkësia faktike (Bashkësia jashtëmartesore) konsiderohet marrëdhënia faktike midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët që paraqet një veçori stabiliteti dhe vazhdueshmërie.
(2) Bashkësia faktike (Bashkësia jashtëmartesore) është e barabartë me statusin martesor nga aspekti i të drejtave dhe detyrimeve për përkujdesje, mbështetje financiare reciproke, dhe të drejtat pasurore ashtu siç është specifikuar në këtë ligj.

Ka raste të shumta në shoqërinë tonë kur martesa lidhet në mënyrë tradicionale, por që juridikisht nuk e gëzojnë statusin e lidhjes martesore. Duke marrë parasysh këtë specifikë që akomodon ligji i familjes edhe udhëzimi e reflekton ligjin.

Për shkak të kësaj ky udhëzim parasheh përkrahjen e familjarëve vetëm sipas ligjit të familjes e jo lidhjeve tjera jashtë këtij konteksti ligjor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme