ShBA-ja nuk do të rreshtohet asnjëherë në anën e Serbisë, kundër Kosovës. Kështu vlerëson shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se nuk do të lejohet ftohje e raporteve ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së. Deklarimet e tilla, ka thënë se janë vetëm retorikë e opozitës.
“ShBA-ja e do një partner serioz në Kosovë. Asnjëherë nuk do të lejojmë ftohje ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së. Kjo as që ka ndodhu, sepse me SHBA-në na lidhin gjëra të tjera jo vetëm taksa. Tek e fundit ShBA-të nuk do të rreshtohen në anën e Serbisë, kundër Kosovës. Këto janë retorikë e opozitës.”, ka thënë Selimi.
Në këtë intervistë për Ekonomia Online, Selimi ka folur për taksën 100 % ndaj produkteve serbe e boshnjake, për veprimet e presidentit Hashim Thaçi, Gjykatën Speciale dhe shkarkimin e ambasadorëve, nga ana e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca.
Selimi ka thënë se veprimet e presidentit Thaçi janë të papranueshme. Ai tha presidenti Thaçi është më i interesuar që të flasë me një zë me presidentin serb Vuçiq, sesa me kryeministrin Kurti.
“Është e papranueshme sjellja e presidentit kundrejt institucioneve dhe kushtetutës. Ai është i interesuar vetëm në raportet me Vuçiqin. Këtë mosdakordim e ka zgjedhur presidenti kundrejt kryeministrit”, theksoi Selimi.
Ndërkohë ai tha se kryeministri Kurti e ka mbështetjen e plotë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, sa i përket zëvendësimit të taksës me masë reciprocitetit.
“Si grup parlamentar do të mbështesin qeverinë Kurti në heqjen e pjesërishme të taksës 100 për qind, e cila pritet të hyjë në fuqi deri me 15 mars”, tha ai.
Ndonëse LDK-ja edhe gjatë hartimit të planit qeverisës është dakorduar, që masa e taksës të zëvendësohet me reciprocitet, Selimi nuk e përjashton mundësinë që LDK-ja të krijojë mospajtime.
Kurse, duke folur për ambasadorët e shkarkuar konkretisht për Vlora Çitakun ai ka thënë se ka pasur veprime skandaloze. Sipas Selimit, ish-ambasadorja është shkarkuar për arsye ligjore.
Ai po shtuar foli edhe për ftesën që ka marrë nga Gjykata Speciale për tu paraqitur në cilësinë e dëshmitarit.
“Si rrjedhojë e votimit të Gjykatës Speciale, kemi thirrje të shumë njerëzve për tu intervistuar si dëshmitarë dhe njëri nga ta jam edhe unë. Krejt çka mund të bëjmë është të përballemi me atë çka është vendosur në vitin 2015″, shtoi Selimi.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se Kosova ka nevojë për më shumë kapacitete në fushën e mbrojtjes.