Anëtari i LDK-së, Driton Selmanaj, ka deklaruar se proceset e brendshme në parti duhet të udhëhiqen nga vullneti i delegatëve dhe jo nga qëndrime të parapërcaktuara të degëve, duke theksuar se LDK-ja ndodhet në një moment reflektimi pas rezultateve zgjedhore dhe përballë diskutimeve për drejtimin e ardhshëm të saj, raporton Ekonomia Online.
Selmanaj tha se delegatët, përfshirë edhe ata nga Prizreni, kanë bindje individuale dhe se secili duhet ta vlerësojë vetë se cila është rruga më e mirë për partinë, duke shtuar se ai respekton pavarësinë e secilit delegat.
“Në fakt unë mendoj që brenda LDK-së duhet refuzuar idenë që të kemi kështu qëndrime bllanko të degëve, sepse këtu vendosin delegatët. Dhe LDK-ja nga Prizreni i ka dikund 16 delegatë. Secili e ka bindjen e tij personale për të vlerësuar cila është rruga më e mirë që LDK-ja duhet të zgjedhë. Ne kemi diskutuar bashkë, por është në vlerësimin individual dhe unë e respektoj maksimalisht pavarësinë, qëndrimin e secilit delegat të LDK-së.
Unë jam i bindur që LDK-ja gjithmonë ka ditur në momente delikate ta ketë njëfarë instrumenti të vetë-rregullimit, të reflektojë drejt dhe mirë. Kurdo që LDK-ja ka pasur, po them sfida të zgjedhjes së kryetarit të partisë, gjithmonë e ka zgjedhur mendoj situatën më të mirë, ose mënyrën më të mirë. Prandaj edhe sot, pavarësisht që nuk e kemi akoma të qartë krejtësisht agjendën – dhe kjo besoj që është pak jo shenjë e mirë, ishte dashur që mbrëmë ta kishim të qartë a do të votohet për votëbesim apo do të kemi shqyrtim të dorëheqjes, i cili në fakt është antistatutar nëse hyjmë në atë cikël sepse statuti nuk parasheh diskutime – po mendoj që qëndrimet, qartësia e delegatëve dhe sjellja e delegatëve do të japë epilog çfarëdo procesi që do të ndodhë brenda. Besoj në demokracinë e brendshme të LDK-së, besoj në vlerat që kjo parti ka kultivuar deri sot dhe besoj që edhe epilogu do të jetë më i miri për LDK-në dhe më pas besoj edhe për procese tjera politike në Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, LDK-ja ka vendosur standard në Kosovë për reflektim pas rezultateve të dobëta dhe se sot pritet një debat i gjerë për gjendjen aktuale të partisë.
“LDK-ja ka vendosur një standard në Kosovë dhe mendoj që është standardi i mirë, që në rezultatet e dobëta të ketë reflektim. Të ketë reflektim dhe ne besojmë që sot do të diskutojmë gjerë e gjatë, sepse nuk jemi të kënaqur fare me situatën, me vlerësimin që njerëzit po i japin LDK-së. Kam thënë disa herë: ndoshta janë vlerësime subjektive, po nganjëherë shoh që janë rezultate të pamerituara për LDK-në, sepse LDK-ja ka edhe strukturë, kuadro, qëndrime e krejt ato. Megjithatë, njerëzit votojnë dhe ne duhet t’i respektojmë ata. Dhe nëse nuk kemi arritur ta transmetojmë idenë tonë të mirë të LDK-së tek njerëzit, nuk është faji i njerëzve, është faji ynë. Prandaj duhet gjetur mënyra se çfarë të bëjmë që vërtet si parti politike, si kuadra, si platformë politike ta marrim vendin meritor, sepse unë jam i bindur që LDK-ja meriton të jetë një ndër partitë kryesore dhe të parat në vend, sepse vetëm si e tillë garanton më pas edhe stabilitet, edhe ecje të Kosovës përpara”, tha ai.
Duke folur për kandidaturat për kryetar të partisë, Selmanaj vlerësoi figurën dhe trashëgiminë politike të Avdullah Hotit, duke e cilësuar si vlerë të madhe për LDK-në, por theksoi se nuk përjashtohen kandidatura të tjera dhe se vendimi u takon delegatëve. Ai shtoi se do t’i nënshtrohet parimit të shumicës, duke e konsideruar debatin dhe konkurrencën e brendshme si shenjë të demokracisë dhe si zhvillim pozitiv për partinë.
“E kaluara e zotit Hoti, trashëgimia politike që i ka dhënë LDK-së është në secilën sferë ku do që ka qenë, është e jashtëzakonshme. Unë mendoj që është vlerë e madhe e LDK-së që zoti Hoti të jetë në krye të LDK-së, por nuk përjashtohen edhe kandidatura të tjera. Janë në vlerësim të delegatëve dhe unë më pas i subordinohem parimit të shumicës, sepse demokracia e tillë dhe demokracia vetëm kështu ka kuptim. Dhe besomni, kjo është e mira që po i ndodh LDK-së. Kështu do të duhej edhe partitë e tjera të kenë debat, kundërshti – këto janë vlera, kjo është demokracia që ne jo vetëm si LDK por si popull duhet të punojmë dhe luftojmë për të”.
“Unë mendoj që brenda do t’i them të gjitha, do të kem mundësi edhe me folë. Nuk e di sot, sepse po thashë agjenda është akoma e paqartë, nuk e di sot nëse do të hyjmë në proces votimi edhe për kryetarin e ri, por unë e kam qëndrimin e qartë timin. Unë mendoj që LDK-së dhe Kosovës i duhet një LDK me një dinamikë ndryshe, pak më ndryshe”, tha ai.
