Nënkryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar i formuar për të hetuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, Driton Selmanaj, ka thënë se partitë në pushtet po e pengojnë procesin e hetimit të tyre, raporton Ekonomia Online.
Ai ka treguar se në bashkëpunim me partitë opozitare po diskutojnë mbi mundësinë e një seance të jashtëzakonshme mbi të gjeturat nga raporti për rastin.
“Në konsultim me partitë politike në opozitë jemi duke diskutu që ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme ku do diskutojmë për të gjeturat e raportit dhe ta rikthejmë edhe një herë çështjen për rivendosje për mandatin tonë që t’i kemi së paku edhe dy ditë që ta kryejmë punën tonë.Ne jemi të kënaqur që ka një mbështetje të punës sonë dhe ndihemi keq për përpjekjet e partive politike në pushtet, koalicioni PAN për të ndalë këtë proces, që të mbulojë këtë proces, që të vendosë një mjegull për atë që ka ndodhë”, tha Selmanaj, raporton EO.
“…Ne nuk do ndalemi me kaq sepse personat përgjegjës të cilët kanë kapë institucionet e sigurisë në Kosovë dhe vetë shtetin nuk guxojnë të jenë ata që edhe më tutje të udhëheqin ato institucione”.
Sipas tij, partitë e pozitës kanë kapur shtetin, ndërsa shtoi se nuk po e lejon komisionin që të kryejë punën e vet.
“Ata nuk kanë qenë të interesuar që ky komision të kryejë punën e vet dhe të gjeturat i kanë tmerruar ata. Tash thonë se edhe ambasadat e huaja në Kosovë kanë ra në lajthitje, ata nuk bijnë në lajthitje, ata kanë trajtu çdo gjetje. Kapja e shtetit nuk mund të kuptohet ndryshe, kur kapen institucionet e sigurisë dhe të bëhen veprime të tilla, kjo është kapje e shteti prandaj e dimë se ata janë prapa kësaj. Neve na kanë lënë në gjysmë punën tonë, neve s’po na lejojnë ta kryejmë punën tonë”, tha Selmanaj.