Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, pas mbylljes së seancës në një deklaratë për medie prapë e potencoi se data nuk është caktuar për shkak të Epopesë. Ai edhe njëherë tha se të rënëve dhe dëshmorëve i bëhet nderimi edhe më mirë nëse ndalen keqpërdorimet e parasë publike që po bëhen, raporton Ekonomia Online.
“Për shkak të mungesës së deputetëve të koalicionit u munduam ta ndërpresim këtë seancë të cilën e kishim thirrur ne. Sepse ata u arsyetuan se janë në një angazhim tjetër që lidhet me 5 marsin, por për ne nderimi më i madh për tata që kanë rënë është të diskutojmë për shpenzimet e parasë publike që po bëhen duke i ndalur këto keqpërdorime”, tha Selmanaj.
Ai tha se së fundi herë janë ndarë 500 mijë euro për një festë që nuk dihet se si janë shpenzuar një shumë kaq e lartë.
“Arsyetimi i tillë nuk qëndron sepse pikërisht në raste të tilla po abuzohet maksimalisht me paranë publike vetëm në rastin e fundit të Pavarësisë janë ndarë 500 mijë euro, i kemi parë të gjitha çmimet të fryra dhe për këtë kemi ngritur këtë shqetësim publik. Data e sotme nuk është bërë me qëllim nuk e kemi lidhur këtë datë me këtë ngjarje dhe as në kryesinë e Kuvendit nuk është kundërshtuar”, është shprehur Selmanaj, raporton EO.